15 kandidatët fitues të projektit Skema e Bursave për Nëpunësit e rinj Civilë, projekt i financuar nga BE, nisin programin 4 mujor trajnimi në Francë, Luksemburg dhe Bruksel.


Kur të ktheheni në Shqipëri, besoj që do të vini me projekte konkrete të cilat do të ndihmojnë në jetësimin e reformave të qeverisë shqiptare, u shpreh në ceremoninë e rastit në Qendrën për Hapje dhe Dialog, zv. kryeministrja Senida Mesi.


Duke vlerësuar mbështetjen e BE-së në kuadër të forcimit të kapaciteteve të shërbimit civil në Shqipëri, Mesi nënvizoi faktin se ky program pilot i shtohet një tjetër programi të suksesshëm, skemës së BE-së në lidhje me përgatitjen e gjeneratës së ardhshme të nëpunësve civilë dhe politik-bërësve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.


Secili nga fituesit ka nënshkruar një kontratë, në të cilën janë specifikuar disa detyrime për vendin e tyre të punës. Vendi i tyre i punës do të ruhet, ata do të kthehen sërish aty ku ishin, ku për dy vite do të kenë mundësi që të gjithë njohuritë që do të përfitojnë nga ky projekt ta vënë në praktikë në institucionin ku punojnë, tha drejtoresha e DAP, Albana Koçiu.


Në këtë aktivitet ishin të pranishëm  dhe ambasadorja e Bashkimit Evropian Romana Vlahutin, Ambasadorja Franceze Christina Vasak, përfaqësues të Shkollës Franceze të Administratës Publike etj.


Sipas kësaj skeme të financuar nga BE, 15 nëpunës civilë të administratës publike qendrore do të dërgohen në një program 4 mujor trajnimi në Francë, Luksemburg dhe Bruksel. Procesi përzgjedhës është kryer në përputhje me standardet e dakordësuara paraprakisht midis partnerëve zbatues, duke marrë në konsideratë eksperienca të ngjashme të zbatuara më parë.


14 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)