Ekonomia


Interesat e ulëta bankare sjellin rritje të investimeve nëpër aksione


Ekonomia bursatAksionet nëpër bursat e botës janë aktualisht pranë rekordit të tyre historik të rritura nga një kombinim i fuqishëm i interesave shumë të ulëta mbi paranë nëpër shumicën dërrmuese të vendeve të botës, si dhe nga shëndeti në përmirësim i ekonomive të mëdha, raporton Reuters.


Tregjet europiane të aksioneve dolën në udhëheqje dje, duke nisur me rritje javën e dhjetë radhazi, të fuqizuara nga ulja e mëtejshme e interesave nga Banka Qendrore Europiane.


Bursat në Azi shënuan nivelin e tyre më të lartë në tre vjet, ndërsa edhe bursat amerikane shënuan rritje, si pasojë e një raporti pozitiv mbi punësimin në SHBA. Indeksi MSCI, i cili përmbledh bursat e 45 vendeve, që merret si referencë për tregun botëror të titujve, është sot fare pranë rekordit historik të vendosur në vitin 2007, pra para krizës ekonomike dhe financiare botërore që nisi në vitin 2008.


Që nga niveli më i ulët i regjistruar më 2009-n, ky indeks është rritur me 150 për qind, si pasojë e faktit që bankat qendrore e kanë përmbytur tregun me kredi të lira, të cilat në shumë raste janë investuar në aksione.


Edhe interesat e borxheve publike të disa vendeve deri më tani në vështirësi shënuan rënie gjatë javëve të fundit. Interesat e bondeve spanjolle dhe italiane ranë në nivelet më të ulëta në shumë kohë, ku ato spanjolle qenë përkohësisht më të ulëta sesa interesat e bondeve dhjetëvjeçare amerikane.


Edhe tregjet në zhvillim shënuan përmirësim në çmimet e aksioneve nëpër bursa. Bursa e Koresë së Jugut shënoi nivelin më të lartë në gjashtë vjet, ndërsa në rritje qenë edhe bursat e Malajzisë e të vendeve të tjera në Azi.


Lajmet ekonomike të javës së fundit sugjerojnë për rigjallërim të ekonomisë në SHBA dhe në Kinë, sido që Banka Qendrore Europiane vendosi për herë të parë një interes negativ mbi depozitat që bankat vendosin te BQE-ja.


Ky shkrim Bursat në rekord historik, pavarësisht krizës u publikua me pare te Gazeta SHQIP.