• Vetëm gjashtë ditë para nisjes së punimeve të Samitit të Bukureshtit, Shqipëria ka marrë një mesazh mbështetës për marrjen e ftesës nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh në një intervistë për mediat rumune, kroate dhe ukrainase, se do të përkrahë në samitin e një jave më vonë marrjen e ftesës nga këto tre vende. "Do të përkrah faktin që Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia të ftohen për t'iu bashkuar aleancës. NATO nuk ka qëllim ndërtimin e bazave të përhershme në Kroaci, por të jesh pjesë e aleancës përbën avantazh për një ushtri moderne", theksoi Presidenti SHBA-së, Xhorxh Bush. Deklarata e shefit të Shtëpisë së Bardhë vjen vetëm pak ditë pasi në Bukuresht të Rumanisë të mbahet Samiti i ardhshëm i Aleancës Ushtarake të NATO-s, e cila në një nga tri ditët e këtij samiti, do të diskutojë edhe marrjen e ftesave për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë. Ndërkohë, optimist për marrjen e ftesës nga tre vendet e kartës Adriatik 3, u shpreh dje edhe ambasadori britanik në Shkup, Stephen Wordsworth, i cili tha se beson që tre vendet do të ftohen nga aleanca. Sipas mediave të huaja, Shqipëria dhe Kroacia kanë më shumë mundësi të marrin ftesën, ndërkohë që ende problem mbetet Maqedonia. Fqinji lindor i Shqipërisë prej disa muajsh është në negociata me Greqinë, e cila ka paralajmëruar se do të vendosë veton e saj nëse nuk zgjidhet problemi i emrit të Maqedonisë. Gazeta "Elefteros tipos" shkruan se vetoja greke për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO është e sigurt, teksa shton se Karamanlis në Bukuresht do të udhëtojë me veto. Gjithashtu, duke iu referuar kësaj gazete, bëhet e ditur se testin e parë kreu i qeverisë greke do ta bëjë pikërisht në darkën me liderët e tjerë të vendeve anëtare të NATO-s. Ndërkohë, zëdhënësi i NATO-s, James Apathuray, ka theksuar se pranimi i tre vendete të kartës Adriatik 3 tani është vetëm çështje zyrtarizimi. "26 vendet aleate dëshirojnë t'i shohin tre vendet të anëtarësohen në NATO. Çështja nuk është më 'nëse', por 'kur' këto vende do të anëtarësohen dhe këtë do ta shohim në Bukuresht", deklaroi zëdhënësi i NATO-s. Sipas tij, "mendoj se ne do të shohim një samit të suksesshëm për zgjerimin, pavarësisht janë apo jo tre vende. Ne do të shohim edhe çështje të tjera si Afganistani e marrëdhëniet me Rusinë, por më e rëndësishmja është zgjerimi. Çfarëdo të ndodhë me zgjerimin në Bukuresht, shpresoj të jetë pozitive". Ndërkohë brenda një jave Shqipëria ka marrë mbështetjen e Greqisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Turqisë për marrjen e ftesës në Samitin e 2 prillit. Një javë më parë ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, deklaroi se Tirana zyrtare meriton të marrë ftesën në NATO. "Shqipëria i ka të gjitha arsyet për të merituar ftesën për anëtarësim në NATO. Ju do të keni mbështetjen tonë miqësore. E njëjta gjë vlen edhe për Kroacinë. Ju e dini që nuk mund të them të njëjtën gjë për ish- Republikën Jugosllave të Maqedonisë, për shkak të faktit që për 17 vjet rresht kanë ngecur bisedimet për përcaktimin e emrit të saj dhe kjo është arsyeja që ka një ndikim negativ në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe në drejtim të bashkëpunimit rajonal", theksoi kreu i diplomacisë greke nga Tirana.

Dreka me ambasadorët, Berisha takon Withers
Kryeministri Sali Berisha ka përfituar nga një drekë zyrtare me ambasadorë të akredituar në Tiranë, për të zhvilluar një takim me kryediplomatin e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, John Withers. Kreu i qeverisë shqiptare është parë të hyjë rreth orës 13:30 në vilën 30, në krah të selisë së kryesisë së Kuvendit, ku do të zhvillohej një ceremoni zyrtare me rastin e largimit të ambasadorit të Emirateve të Bashkuara Arabe nga vendi ynë. Përveç një numri të madh të të pranishmëve, ishte i ftuar edhe ambasadori amerikan, John Withers. Ndërkohë pak para orës 15:00 është vënë re që ambasadorët e ftuar në këtë drekë zyrtare të lënë njëri pas tjetrit vilën 30 dhe dy zyrtarët e fundit që kishin ngelur në të, ishin pikërisht Kryeministri Berisha dhe ambasadori amerikan, John Withërs. Ndërkohë pak minuta pas orës 15:00 është vënë re të dalin pas një takimi kokë më kokë mes tyre, i pari ambasadori amerikan dhe pas tij Kryeministri Berisha. Ndonëse nuk bëhet i ditur asnjë detaj, takimi mes tyre vjen vetëm pak orë pasi njëra prej gazetave më të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës "New York Times" dhe "Herald Tribune" kanë hedhur dritë mbi trafikun e armëve, ku përfaqësuesi i një kompanie amerikane përmend edhe emrin e Kryeministrit Berisha, djalit të tij Shkëlzenit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Në një deklaratë të ambasadës amerikane për shpërthimin në Gërdec në 15 mars, thuhet: "Pas shpërthimeve në Gërdec, ambasada e SHBA mësoi për ekzistencën e një kompanie amerikane, Southern Ammunition Company, Inc. (SAC) nga Karolina e Jugut. Me sa kuptojmë, Prokuroria e Përgjithshme, si pjesë e hetimeve të saj, do të hetojë edhe rolin e mundshëm të SAC në këtë tragjedi. Ambasada e SHBA do të bëjë çdo gjë brenda mundësive të saj për të ndihmuar në hetimin e Prokurores së Përgjithshme".

Erdogan
Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, paralajmëroi votën pro të Ankarasë ditën e votimit në Samitin e Bukureshtit për tre vendet e kartës Adriatik 3. "Dëshiroj të ritheksoj edhe një herë vendosmërinë e Turqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në Samitin e Bukureshtit, i cili do të zhvillohet në prill të këtij viti, ne do të mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, krahas anëtarësimit të Kroacisë dhe Maqedonisë", tha Erdogan.