Ministri Bushati merr pjesë në Konferencën e Ministrave të Jashtëm të EJL në Berlin (5)TIRANË, 25 Nëntor /ATSH/ -Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në Konferencën VII të Ministrave të Punëve të Jashtme të Evropës Juglindore në Berlin, në fokus të së cilës ishin paketa e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, metodologjia e re e KE -së në këtë drejtim, kriza e refugjatëve dhe migracioni, lufta kundër terrorizmit si dhe politikat e integrimit në strukturat Euro-Atlantike.

Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Bushati vlerësoi potencialin e BE-së si faktori kryesor në formësimin e jetës ekonomike, politike dhe sociale ne Ballkanin Perëndimor.

Ai nënvizoi se: "ndërsa Ballkani Perëndimor ka operuar mbi një pakt stabiliteti, procesi i Berlinit mundësoi krijimin e një pakti ndërlidhshmërie dhe tashmë vendet tona janë në kërkim të një pakti demokracie dhe zhvillimi".Ministri Bushati merr pjesë në Konferencën e Ministrave të Jashtëm të EJL në Berlin (2)

Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit dhe krizat migratore me të cilat përballen sot BE-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ministrat në këtë konferencë vunë theksin në impaktin që kanë fenomene të tilla në jetën e përditshme të qytetarëve si dhe nevojën për një qasje kolektive në përballimin e tyre, duke bërë thirrje për solidaritet, përgjegjshmëri dhe bashkëpunim pragmatik mes vendeve anëtare dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë Steinmeier, duke u ndalur në ecurinë e secilit prej vendeve të rajonit në proceset integruese, u shpreh se: "Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe duhet të vijojë tashmë me detyrën e vështirë të një reforme tërësore dhe të thellë të sistemit të drejtësisë".

Ndërsa ministri italian i i Punëve të Jashtme, Gentiloni, gjatë fjalës së tij, tha se "Italia është angazhuar në procese kreative të bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë trilateralin Shqipëri-Itali-Serbi, Iniciativën e vendeve të Evropës Qendrore si dhe Strategjinë e BE-së për Makro Rajonin Adriatiko-Jonian", tha Gentiloni.

Gjatë qëndrimit në Berlin, Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu takime në Bundestag si dhe në Kancelarinë Federale për të këmbyer pikëpamje mbi ecurinë e reformave në Shqipëri dhe zhvillimet më të fundit në rajon./b.k/ /a.g/