ervin-bushatiPartia Socialiste reagoi sot në lidhje me akuzat e opozitës për situatën ekonomike në vend. Përmes një deklarate, Ervin Bushati në emër të PS-së theksoi se opozita vazhdon të sillet sikur sapo ka rënë nga qielli, e sikur nuk ka asnjë përgjegjësi për gjendjen në të cilën e la Shqipërinë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Sot, kurajon për të sfiduar inteligjencën e shqiptarëve e pati dora vetë, ish-Ministri i Financave që gjatë 8 viteve në pushtet, e zhyti Shqipërinë në borxhe. Vetëm borxhi i padeklaruar i qeverisë së kaluar ndaj kompanive të kontraktuara për të ndërtuar infrastrukturë e për të ofruar shërbime — ishte plot 720 milionë dollarë. Ne këtë borxh jemi zotuar ta shlyejmë: që investimet të rriten, që punësimi të rritet, që infrastruktura të përmirësohet, që shërbimet të jenë cilësore, tha Bushati Në vijim ai shtoi se ndërsa ata e zhytën vendin në borxh, ne po lajmë borxhet e tyre. Falë buxhetit të ri, ne ulëm taksat për 97% të shqiptarëve, duke përmbushur premtimin tonë madhor që në katër muajt e parë të qeverisjes së re. Ne hoqëm taksën e biznesit të vogël dhe ulëm tatim fitimin për të gjithë bizneset e vogla, nga 10 në 7,5%. Doganat, në periudhën tetor 2013 janar 2014 kanë mbledhur 17% më shumë të ardhura, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Tatimet, në periudhën tetor 2013 janar 2014 kanë mbledhur plotë 3,9 miliardë lekë më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, theksoi Bushati. Sipas tij, buxheti i qeverisë së re, injekton në ekonomi vetëm gjatë vitit 2014 plotë 1,1 miliardë dollarë; jo vetëm duke shlyer 350 milionë dollarë borxhet e krijuara nga qeveria e kaluar, por dhe duke investuar fort në ekonominë shqiptare. Qeveria e re është e vendosur ta rimëkëmbë ekonominë dhe të rikthejë besimin e investitorëve vendas e të huaj në ekonominë shqiptare, tha Bushati.