Kallëzimi - Kallëzimi i ministrisë u bë pas auditit që ushtroi ky institucion në këtë konsullatë


Akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre Nausika Spahia


Spahia - Ish-konsullja ka qenë më parë si këshilltarja e kabinetit të Kryeministrit Berisha. Ajo është e bija e Ali Spahisë, i cili ka qenë  nga deputetët dhe emrat me peshë të PD-së në vitet 1992-1996


nausika e madheMinistria e Jashtme kallëzon në Prokurori, ish-konsullen shqiptare në Milano të Italisë, Nausika Spahia. Në materialin e dërguar në organin e akuzës shqiptare, nga ministria që drejtohet nga Ditmir Bushati ish-konsullja shqiptare akuzohet për shpërdorim detyre, vjedhje të pasurisë shtetërore, fshehje të gjurmëve të veprës penale dhe pabarazi në tenderë. Një raport i hartuar në përfundim të një auditi vë në pikëpyetje një kontratë të 2 marsit 2010, që sipas ministrisë është lidhur në tejkalim të kompetencave mes ish-konsulles së përgjithshme Spahija dhe një subjekti tregtar të identifikuar si Inter Call – Contact Center sh.p.k, ky i fundit me qendër aktiviteti Shkodrën.  Ministria e Jashtme, sipas Top Channel, i thotë organit të hetimit se sipas ligjeve në fuqi, ofrimi i shërbimeve të tilla është një nga detyrat kryesore të posteve konsullore dhe se tarifat për lëshimin e akteve të tilla janë të caktuara me ligj dhe, vijohet më tej, aplikimi i çdo tarife shtesë në veprimtaritë konsullore detyrimisht bëhet ose me ligj ose me akt nënligjor. Sipas kallëzimit, kompania shqiptare me të cilën është lidhur kontrata ka përfituar të ardhura që i kanë shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë shtetasve shqiptarë, pasi rezulton se në këtë periudhë kanë aplikuar për pasaportë biometrike mbi 14 mijë qytetarë dhe se takimet për të marrë shërbimin konsullor janë lënë nëpërmjet call center-it në fjalë e duke bërë një llogaritje të kostos së telefonatave, thuhet më tej, çdo shtetas ka harxhuar 5 euro për telefonatë. Auditi shprehet se pretendimet e shtetasve janë depozituar pranë Avokatit të Popullit për shërbime me vlerën 2 deri në 3 herë më të lartë. Shkelja e barazisë në tenderë argumentohet me faktin se nuk janë ndjekur procedurat standarde të prokurimit publik, siç janë testimi i tregut apo oferta ekonomike. Për vjedhjen e pasurisë referohen dokumentet bankare ku e kallëzuara urdhëron shlyerjen në favor të subjektit në shumën e 45 mijë eurove.


bushatiNdërkohë që fshirja e gjurmëve të veprës penale, sipas kallëzimit, konkludohet nga ndërhyrjet në kompjuterin e ish-konsulles, pasi sipas auditit është e provuar se takimet janë caktuar me call center, por grupi auditues nuk gjeti asnjë gjurmë të e-mail-it, një adresë kjo që është inekzistente si për personelin e konsullatës edhe për Ministrinë e Jashtme. Ish-konsullja e Përgjithshme e RSH-së, Nausika Spahia, gjatë lidhjes dhe vijimësisë së zbatimit të kontratës objekt kallëzimi ka konsumuar këto vepra penale: 1. Veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit penal të RSH-së; 2. Veprën penale të vjedhjes së pasurisë shtetërore, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal të RSH-së; 3. Veprën penale të fshehjes së të dhënave dhe gjurmëve të veprës penale, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal të RSH-së; 4. Veprën penale të pabarazisë në tenderë apo ankande publike parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal të RSH-së.


Reagimi i PS-së


Deputeti i PS-së, Taulant Balla, ka vlerësuar një veprim të Ministrisë së Jashtme, duke theksuar se grupit i PS-së e mbështet kryediplomatin në denoncimin e këtyre rasteve. Pushteti i djeshëm jo vetëm që i mbushi ambasadat dhe konsullatat me familjarë dhe militantë partie, por për vite me radhë u vodhën emigrantët me shërbime të paligjshme në pagesë. Konsullata e Milanos është një ndër shembujt tipikë të korrupsionit nëpër konsullata. Grupi Parlamentar i PS mbështet reformën e nisur nga ministri Bushati, shkruan Balla në Facebook. Më tej zyrtari i PS-së, shton se nga dokumentacioni, që gjendet i administruar në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Milano dhe arkivin e MPJ-së, rezulton që për lidhjen e kontratës më datë 02.03.2012, midis zonjës Nausika Spahia dhe subjektit tregtar Inter Call – Contact Center sh.p.k, ish-konsullja e përgjithshme në Milano nuk ka gëzuar asnjë tagër dhe nuk ka marrë asnjë autorizim nga organet kompetente.


Ky shkrim Bushati padit ish-konsullen e Milanos u publikua me pare te Gazeta SHQIP.