Nga Express më 20 qershor 2011 në ora 07:52

Ish-kampioni i botës në Formula 1, Jenson Button është objektiv i Ferrarit që e sheh atë si partner ideal për kampionin e dyfishtë, Fernando Alonso.



Harmonia brenda ekipit të McLarenit është çrregulluar gjatë garës për Shpërblimin e Madh të Kanadasë, pavarësisht fitores së jashtëzakonshme të Buttonit në shi.



Kolegu i tij, bashkëkombësi britanik, Lewis Hamilton u mundua ta tejkalojë atë dhe përfundoi duke u ndeshur në mur. Andaj, Scuderia tani thuhet se është duke përgatitur një ofertë për kampionin e vitit 2009.



“Në Ferrari është folur shumë për angazhimin e Buttonit. Ata tashmë kanë shikuar nëse ai do të jetë në dispozicion”, tha një burim brenda Ferrarit për revistën britanike, News of the World.



“Ekipi ka kuptuar se u nevojitet një partner më i fortë për Fernando Alonson sesa Felipe Massa, nëse duan të fitojnë sërish titullin. Ata e kanë përcjellë avancimin e Jensonit në McLaren dhe aftësinë e tij për të fituar ose ngritur në podium”. Button, 31 vjeç nuk kishte fituar ndonjë garë një vit para se të triumfojë në ‘maratonën’ e Kanadasë.