Fondi i përkrahjes sociale do të jetë 16.8 miliardë lekë. Buxheti 2009 do të jetë më i madhi që Shqipëria ka bërë


Ervin Koçi



Shtresat në nevojë që marrin përkrahje sociale nga shteti për të mbajtur frymën gjallë, vitin e ardhshëm (2009) do të kollundrisen me më pak para ndihmë. Kështu ka vendosur qeveria, e cila në buxhetin e vitit 2009 (i cili konsiderohet edhe më i madhi i këtyre viteve), do të shkurtojë më tej fondin që përdoret për të ushqyer shtresat në nevojë. Kështu, për vitin e ardhshëm qeveria ka vënë në dispozicion të këtyre shtresave vetëm 1.4% të PBB-së, ose 16.8 miliardë lekë, në një kohë që ka vendosur që të shkurtojë numrin e atyre që e përfitojnë këtë ndihmë. Sipas të dhënave që vijnë në rrugë konfidenciale nga Shërbimi Social Shtetëror për “Albania”-n mësohet se, “vitin që vjen, nga skema e përkrahjes sociale dhe ndihmave për njerëzit në nevojë do të përjashtohen mbi 30 mijë veta”. Ndërkohë, sipas specialistëve të Ministrisë së Financave, fondi i përkrahjes sociale për vitin e ardhshëm do të ketë një rritje fare të vogël krahasuar me një vit më parë, ku zërat socialë zinin 15.4 miliardë lekë. Për vitin e ardhshëm pagesa direkte për të papunët do të jetë 1 miliard lekë, ndihma ekonomike për shtresat në nevojë 13.8 miliardë lekë dhe kompensim për ish-pronarët 2 miliardë lekë.



Shpenzimet dhe investimet



Shpenzimet që qeveria ka planifikuar të kryejë vitin e ardhshëm janë 383 miliardë lekë, me një rritje prej 6.3 përqindësh krahasuar me një vit më parë, ndërsa të ardhurat që parashikohen të mblidhen nga taksat, por edhe nga ndihmat, arrijnë në 333 miliardë lekë, me një rritje nominale prej vetëm 7 përqindësh krahasuar me një vit më parë. Pikërisht rritja e ndrydhur e të ardhurave është dhe rezerva e parë që opozita ka ndaj buxhetit. Pasi në raport me produktin e brendshëm bruto, të ardhurat nga taksat mbeten në të njëjtin nivel me ato të këtij viti, vetëm 28.2 për qind, duke mos planifikuar asnjë rritje nga lufta ndaj informalitetit. Një tjetër pikë e debatuar është ajo e investimeve publike, të cilat vitin e ardhshëm do të jenë më të ulëta se ato të këtij viti. Në buxhetin e vitit 2009 qeveria ka planifikuar të investojë 90 miliardë lekë, ose 7.6 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, kur për këtë vit shifra e investimeve është 94.4 miliardë lekë, ose 8.8 për qind e produktit të brendshëm bruto.



Masat antikrizë



Buxheti i vitit 2009 vjen në një kohë kur ekonomia shqiptare pritet të përballet me efektet e krizës globale. Qeveria ka planifikuar një fond rezervë prej 15.7 miliardë lekësh për t'u bërë ballë goditjeve të mundshme. Por nga kjo shumë ka të lira vetëm 6 miliardë lekë, pasi 7 miliardë janë të destinuara për rritje pagash, ndërsa pjesë tjetër është kontingjencë e Këshillit të Ministrave. Specialistët e ekonomisë, por dhe opozita, thonë se kjo rezervë nuk jep garanci për të mbrojtur ekonominë. Por ky moment i paqartë për ecurinë e ekonomisë nuk ka nxitur një rritje të zërave socialë, të cilat destinohen për të mbrojtur shtresat në nevojë. Pika e fundit e nxehtë e buxhetit, këtë radhë jo vetëm mes qeverisë dhe opozitës, mbetet deficiti buxhetor. Në draftin e vitit 2009 parashikohet një deficit prej 4.2 përqindësh të PBB-së, nga 5.2 që ishte për këtë vit. Por Fondi Monetar, i cili përllogarit se në 2009-n ekonomia shqiptare do të ngadalësojë ritmin, ka kërkuar me forcë një deficit jo më të madh se 3.5 për qind, si një garanci ndaj çdo goditje të ekonomisë, kërkesë që nuk u mor parasysh nga qeveria. Edhe pse është më i madhi i hartuar ndonjëherë në Shqipëri, buxheti i vitit 2009, veç se në një kohë “turbulencash” ekonomike, vjen edhe në një vit elektoral ndaj edhe rreziqet që i kanosen atij janë më të mëdha. Por qeveria thotë se pikërisht për këtë ka paraqitur një draft “konservator” ku ka parashikuar shifra realiste, por opozita mendon ndryshe.



Box/////////////////

Në vitin 2008 u përjashtuan nga skema sociale mbi 3167 familje



Përfitimin e ndihmës ekonomike e humbën vetëm në gjysmën e parë të vitit 2008 mbi 3167 familje, që sipas autoriteteve shtetërore u nxorën nga skema sepse e përfitonin atë në mënyrë të padrejtë. Sipas Shërbimit Social Shtetëror, të gjitha këto familje, të cilësuara si në nevojë, e përfitonin në mënyrë abuzive këtë pagesë. Gjatë inspektimeve të ushtruara nga Drejtoria e Inspektimit dhe zyrat rajonale për 3-mujorin e tretë të vitit 2008, janë konstatuar raste të: Moszbatimit të legjislacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike për 3167 familje me një efekt financiar 8.102.000 lekë; moszbatim të legjislacionit të përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar për 740 raste me një efekt financiar 6.410.000 lekë. Në zbatim të politikave sociale të qeverisë për zbutjen e varfërisë, SHSSH-ja, gjatë periudhës 6-mujore të vitit 2008, realizoi menaxhimin dhe shpërndarjen e një fondi prej 1.7 miliardë lekësh nëpërmjet të cilit u trajtuan mesatarisht si 6-mujor rreth 101.000 familje të varfra, nga të cilat: 41 mijë familje me ndihmë të plotë dhe 60 mijë familje me ndihmë të pjesshme. Aktualisht janë rreth 93.500 familje të varfra që përfitojnë ndihmë ekonomike, ose rreth 7500 familje më pak krahasuar me dhjetorin e vitit 2007.





Shkurt/////////////////////////////////

Personat me aftësi të kufizuara, rritet numri i të trajtuarve me ndihmë



Numri i përfituesve të pagesës së Personave me Aftësi të Kufizuara (PAK) gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2008 ka ardhur në rritje. Në krahasim me vitin e kaluar, kjo skemë është rritur me 7091 persona, ose 7 për qind më shumë. Rritja ka qenë më e lartë në invalidët e punës dhe në kategorinë e përfituesve të shërbimit të kujdestarisë. Për 6-mujorin e parë të vitit 2008, me fondet buxhetore janë trajtuar 122.091 persona me aftësi të kufizuara, nga të cilët: 54.686 persona me diagnoza të ndryshme nga të cilët 8155 përfitojnë kujdestari; 14.738 persona të verbër, nga të cilët 3595 përfitojnë kujdestari; 2237 persona para e teraplegjikë, nga të cilët 2095 përfitojnë kujdestari dhe 1991 persona përfitojnë paketën higjieno-sanitare; 48.335 persona që përfitojnë nga statusi i invalidit të punës. Ndërsa për procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale, janë marrë masa për të siguruar transfermimin e institucioneve të përkujdesit në varësi të pushtetit vendor mbi bazën e respektimit të standardeve dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve të ofruara. Aktualisht ka përfunduar transferimi aseteve, fondeve dhe inventarit për 19 institucione, të cilat tashmë administrohen nga qeverisja vendore.





2 Dhjetor 2008