Presidenti amerikan, Barak Obama, ka paraqitur
buxhetin e tij për vitin e ardhshëm fiskal, në shumë prej 3,800 miliardë
dollarësh. Buxheti, për të cilin tash duhet të diskutohet në Kongres, parasheh
shpenzim më të madh për 1,660 miliardë dollarë më tepër, sesa që janë të
ardhurat nga taksat



Nga Heather
Maher

Presidenti Barak Obama e ka shpallur planin
për buxhet në shumë prej 3,800 miliardë dollarësh për vitin e ardhshëm fiskal,
sipas të cilit, borxhi kombëtar do të rritet me shpenzime që kanë për qëllim
daljen e ekonomisë nga kriza dhe zgjidhjen e çështjes së papunësisë së
lartë. 

Buxheti Obama për vitin fiskal 2011, që tash duhet të shqyrtohet në Kongres,
parasheh shpenzimin e 1,660 miliardë dollarëve më tepër, sesa që janë të
ardhurat nga taksat. 

Për krahasim, propozim-buxheti për këtë vit është 3,800 miliardë dollarë, ai i
vitit të kaluar i ishte 3,700, ndërsa buxheti i fundit i Xhorxh Bushit ishte
3,500 miliardë dollarë. 

Lidhur me buxhetin e tij, presidenti Obama tha: 

Është buxhet që reflekton sfidat serioze, me të cilat ballafaqohet vendi. Ne
jemi në luftë, ekonomia jonë i humbi 7 milionë vende të punës gjatë dy vjetëve
të fundit dhe qeveria jonë është thellë në borxhe, pas asaj që mund të
përshkruhet vetëm si shpenzim i pamatur dhe i tepruar, tha Barak Obama. 

Për borxhin e lartë kombëtar, Obama e fajësoi paraardhësin e tij në Shtëpinë e
Bardhë dhe përbërjen e kaluar të Kongresit, për të cilën tha se ka autorizuar
shpenzime të reja pa treguar se si do të bëhet pagesa. 

Gjatë kursit të 10 vjetëve të kaluar, administrata e mëparshme dhe Kongresi i
mëparshëm, kanë krijuar një program të ri të shtrenjtë të barnave, kanë
miratuar uljen masive të taksave për të pasurit dhe kanë krijuar dy luftëra pa
paguar për asnjërën prej tyre. E gjithë kjo ishte ngarkuar nga recesioni dhe
rritja e çmimit të kujdesit shëndetësor, tha Obama. 

Plani Obama i ndan 100 miliardë për ta luftuar shkallën më të lartë se 10 për
qind të papunësisë. 

Të hollat do të shkojnë për stimulime tatimore për bizneset që marrin punëtorë,
për investime në energjinë me teknologji të gjelbër, për të ndikuar në rritjen
e vendeve të reja të punës dhe për projekte masive për përmirësime të rrugëve
dhe urave në Shtetet e Bashkuara, në të cilat do të punësohen mijëra
vetë. 

Presidenti amerikan tha se sikur miliona familje të Amerikës, Uashingtoni po
ashtu duhet ta shtrëngojë rripin për të reflektuar realitetin ekonomik. 

Është koha që Uashingtoni ti mbajë standardet e njëjta, të cilat i mbajnë
familjet dhe bizneset. Është koha ta shpëtojmë atë që mundemi, ta shpenzojmë
atë që duhet dhe edhe një herë të jetojmë sipas mënyrës sonë, tha Barak Obama. 

Por, nuk do të ketë shtrëngim të rripit në Departamentin e Shtetit dhe në atë
të Mbrojtjes. 

Obama kërkoi 192 miliardë dollarë për shpenzime të luftës, pjesa më e madhe e
të cilave do të shfrytëzohet për ushtri dhe për çështje civile në
Afganistan. 

Buxheti i Departamentit të Mbrojtjes është rritur për 3.4% ose për 18 miliardë
në krahasim me vitin e kaluar. /rfe/