TIRANË- Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare për të diskutuar rreth buxhetit faktik të shtetit për vitin 2012. Axhenda e sotme parashikon dhe dy projektvendime: "Për mënyrën e trajtimit të deputetëve" dhe "Për fillimin e procedurave parlamentare për kontrollin e veprimtarisë ekonomike të KLSH".

Gjatë seancës së sotme plenare pritet të zhvillohen debate të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës sa i takon zbatimit të buxhetit të vitit 2012, por edhe gjendjes së përkeqësuar të financave publike gjatë këtij viti, shkak ky që çoi qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit në rishikim të buxhetit, duke ulur parashikimin e treguesve kryesorë, të ardhura e shpenzime.

BODE: DREJTOJUNI PROKURORISË NËSE MENDONI SE KA PALIGJSHMËRI
Ora 12:05-Ish- ministri i Financave Ridvan Bode në replikë me deputetin Shkëlqim Cani deklaroi se replika është e pa dëshiruar për të dhe se nëse vërtet ka fakte për shkeljet që pretendon ti drejtohet Prokurorisë. “Keni baltosur, sharë, falsifikuar shifra, do futeni në një gropë shumë të thellë me veten tuaj, jeni të tmerruar nga paaftësia juaj për të menaxhuar ekonominë në një periudhë të vështirë, vitin 2012 është viti me rritjen më të ulët ekonomike në historinë normale. Ke filluar e ke bërë të njëjtin huq, je marrë më rrënimin, spiunimin dhe falsifikimin e paraardhësve, rrëmo sa të duash, nuk ke për të gjetur asnjë kushëri të timin në dogana e askund, asnjë rast që të kem favorizuar për arsye korruptive, ke dokumente dhe kërkesat e ministrisë të kompanive dhe administratës për investimet prioritare. Ju kërkoni të përbaltni dhe flisni pa doganë, flisni rromba tomba, nëse ju thoni se ne kemi mashtruar, thoni që borxhi është më i ulëti historik se ne ulëm shpenzimet, sepse ranë të ardhurat. Per cdo shkelje, drejtohuni ne Prokurori, ja ku i keni.”- deklaroi Bode.

CANI: ISH-QEVERITARËT LANË BUXHETIN PA ASNJË KACIDHE, 2B-TË SHKATËRRUAN EKONOMINË
Ora 11:50-Ministri i Financave, Shkëlqim Cani në fjalën e tij akuzoi qeverinë e kaluar, konkretisht ish-ministrin e Financave Ridvan Bode dhe ish-kryeministrin Sali Berisha se kanë shkaktuar një boshatisje të buxhetit të shtetit për shkak të shpenzimeve pa kriter.
“Cifti 2B nuk e kuptoi që ekonomia kishte marrë rrokullimën. Rezervat e qeverisë dhe pse dimri ishte përpara i grabitën dhe pilafin e groshën në shtëpi rrezik i bëjnë në shtëpi nga rezervat. Ish-qeveritarët që kanë grabitur para nga buxheti, prona në hipoteka, nuk janë mjaftuar dhe kaq, por kanë pirë dhe naftën në përdorim. Ish ministri i bie të ketë udhëtuar 200 km cdo ditë, duket e ka inspektuar rrugën Tiranë-Pekin”.

Por në fakt, vijoi Cani, çifti 2 B dhe ish ministrat zullumqarë janë hedhur në sulm për të mashtruar qytetarët se ekonomia është keq, jo për faj të tyre. "Më duhet të pohoj që në krye të fjalës se viti 2012 i vuri vulën të keqes në ekonomi që po e vuajmë sot edhe me pasoja në vitet e ardhshme, pasi siç e dini ekonomia është një maune e madhe që do kohë të marë shpejtësinë, po ashtu edhe ta ndalë atë. Edhe pse ne kemi frenuar fort ecjen e saj drejt të keqes, ekonomia është sot e sëmurë, rëndë dhe pa mjekim prej vitesh. Por doktori i paaftë as mori vesh dhe po ta kuptonte nuk do të dinte ta shëronte. Për të dytën herë çifti 2B me sharlatantizëm e paaftësi e ka çuar ekonominë në buzë të greminës. Sot ekonomia rritet 6 herë më pak se mesatarja e dy dekadave të kaluara", deklaroi ministri Cani.

Ndërsa Ministri i Financave, Shkëlqim Cani theksoi se buxheti 2012 është më problematiku, pasi nuk janë realizuar të ardhurat.
“Buxheti 2012 mbolli farën e së keqes, që ne po vuajmë këtë situatë të vështirë ekonomike. Parashikimet për buxhetin e vitit 2012 kanë qenë jorealiste. Ish-ministri ka falsifikuar të ardhurat, ka shkelur ligjin. Borxhi arriti mbi 60 % që në vitin 2012. Është përdorur në mënyrë abuzive administrata” theksoi Cani. Ministri Cani ka rikujtuar se qeveria ka detyrime të papaguara ndaj biznesit ç’ka ka rritur ndjeshëm borxhin e shtetit.
“Ajo që mund të them është se FMN ka mbetur e çuditur nga ky borxh dhe është naive të mendosh se është qeveria aktuale që e ka rritur”, tha kreu i Financave. 

“Doktori i paaftë nuk e mori vesh, por edhe po ta kuptonte nuk do dinte ta shëronte, e ka çuar ekonominë në buzë greminës, sot ekonomia rrihet 6 herë më pak se mesatarja, në 8 vite nuk i shtoi gjë punësimit, borxhi kapi qiellin, mbi 73%, sot është një borxh i frikshëm”, tha Cani.
Cani akuzoi ish-ministrin për pagesë jashtë radhe dhe me shkelje 35 milionë dollarë. “Si do të mbushej arka kur bëheshin të tjera shkelje. Ulja e ekonomisë dhe rritja e borxhit ka qenë punë e çiftit 2B”- tha ai.

Cani theksoi se në tërë mandatin e shkuar qeveria e përzënë nuk realizonte te ardhurat. “A e dinte cifti 2 B për borxhin e akumuluar ndaj biznesit, por nuk donin ti besonin opozitës se atëhershme, por as KLSH”, tha Cani. 

Ministri i Financave shtoi më tej se sipas shifrave është provuar se një borxh prej së paku 700 milionë dollarësh nuk u raportua me urdhër të ciftit 2B duke falsifikuar realitetin.

“Viti 2012 është ndër më të rënduarit me vjedhje masive barbare në tatime e dogana, me të cilat ne po merremi dhe po i denoncojmë në prokurori, ky model ka sjellë si pasoje që dhjetëra punonjës janë në dyert e drejtësise apo pas hekurave”, tha ai.

Viti 2012, tha Cani, i la stafetën 2013-ës, me synim të qartë për ta groposur, kurrsesi për ta ndihmuar. Cdo buxhet, sipas tij, është rishikuar me ulje afro dy herë në vit.
"Ish kryeministri personalisht ka menaxhuar një situatë mashtrimi të publikut me shifra të manipuluara se ekonomia shqiptare është më e mira në botë pas Gjermanisë. Viti 2012 e futi ekonominë ashtu si viti '96 e '97 në pritën e një ekonomie piramidale, me po të njëjtin çift 2B, po pa sulme. Në vitin 2012 ish ministri i Financave ka shpërdoruar detyrën, duke paguar jashtë radhe gjoja për urgjencë investitorë e shoqëri tregtare edhe pse la pa paguar afro 10 miliardë lekë në thesar. Vetëm një investitor, mik i ish ministrit ka marrë brenda ditës me urdhër të tij, pagesa për 220 milionë lekë, kuptohet pa qënë prioritare. Ish ministri e ka paguar jashtë radhe edhe herë tjetër mbi 4 milionë dollarë. Por ish ministri nuk është ndalur edhe në vitin vijues, në 8 muaj e 2013-ës ka paguar jashtë radhe me shkelje jo pak po 3.7 miliard lekë . Si do të mund të mbushej buxheti i shtetit, kur paska qënë kaq i zënë për shpërblime urgjencash për xheptar e të paudhëve pa urgjencë", deklaroi Cani.

Kreu i Kuvendit Meta lulë në tryezën ku ulej Olldashi
 
Ora 11:20-Sot Kuvendi mbajti 1 minutë heshtje në nderim të Sokol Olldashit, deputetit demokrat që u nda nga jeta më 20 Nëntor si pasojë e një aksidenti automobilistik.
Në sallën ende bosh, një tufë me lulë është vendosur në vendin ku ulje gjithmonë Sokol Olldashi. Një tufë me trëndafila të bardhë, rozë, blu dhe zambakë të purpurt zbukuruan tryezën e deputetit të ndjerë. “Në kujtim të kolegut Sokol Olldashi nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta”, shkruan fasha rreth buqetës me lule.

Priten debate dhe per burgun e Drenoves dhe Belle Air
Gjithashtu, seancës së sotme parlamentare i propozohet për miratim dhe një projektrezolutë "Për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri".

Çështjet e aktualitetit, si ngjarja në Burgun e Drenovës apo falimentimi i kompanisë "Bell Air", pritet të jenë pjesë e debatit mes palëve gjatë punimeve të Kuvendit.

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Kuvend, nesër mocioni me debat për procesin e integrimit Kreu i Kuvendit Meta, lule në tryezën ku ulej Olldashi