BLEDAR HOTI

Maxhoranca miratoi mbrëmë me 74 vota pro në parim projektbuxhetin e vitit 2010. Në votim nuk mori pjesë kreu i PBDNJ-së, Vangjel Duke, ndërsa ministri i Bujqësisë, Ruli nuk ka qenë i pranishëm në seancë. Pas votimit të mbrëmshëm ligji financiar do të rikthehet sërish në komisione për t’u votuar më pas në Parlament nen për nen.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar buxhetin e vitit 2010 si më historikun. Në fjalimin prej mëse një ore, kreu i Qeverisë ka theksuar se është buxheti i vazhdimësisë dhe mbi të gjitha do të vazhdojë të rrisë pagat dhe pensionet e buxhetorëve. Rritje e pagave të pensioneve dhe investimet në infrastrukturë janë një nga synimet e buxhetit të vitit ardhshëm. Kreu i qeverisë ka theksuar se ky buxhet eshte historik edhe për faktin se do të miratohet vetëm 4 ditë pasi ministrat e vendeve të BE vendosën të hapin dyert për integrimin e Shqipërisë. “Ky është buxhet historik, pasi parashikon rritjen më të madhe se sa buxheti i çdo qeverie tjetër në këtë kontinent në kohën e krizës më të thellë që nga shekulli i shkuar gjeri më sot. Është buxheti i parë me të cilin ne do të mbështesim tërësisht lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Lëvizja e juaj e lirë ka çmimin e vet dhe jo të lirë. Buxheti merr në konsideratë tërësisht interesat tuaja fisnike, para së gjithash rrogat dhe pensionet”, tha Berisha. Sipas kryeministri buxheti i vitit të ardhshëm parashikon një rritje të ardhurave në një masë prej 12 për qind. “Buxheti i vitit 2010 është buxheti i dytë për çdo shqiptar. Ftoj shqiptarët që ta shqyrtojne atë. Ky është buxheti historik në shumë aspekte, së pari sepse vjen si më i madhi në historinë e vendit dhe sepse ai vjen si një buxhet kurorë. Qeveria shqiptare dhe administrata ia kanë dalë, si asnjë administratë në një qeveri tjetër, që në 5 vjet të ulë taksat, tatimet, tarifat dhe ta dyfishojë atë. Kjo përbën një arritje shumë të madhe”, vijoi Berisha. Sipas tij, ky është vetmi buxhet që nuk është prekur nga kriza ekonomike, por bazohet te tek rritja ekonomike e vendit. “Pavarësisht se kthetrat e krizës janë shtrirë në shumë vende, ne u paraqesim shqiptarëve një buxhet që bazohet tek rritja ekonomike, që bazohet tek rritja e madhe e faturës sociale”, ka nënvizuar Berisha. Këto të ardhura kreu i qeverisë tha se i ka siguruar si rezultat i miratimit të ligjit të ri të heqjes së makinave të zyratëve, një mentalitet që vjen nga nomkletura. “Të jeni të bindur ju se ka disa që duan të hartojnë projketligje për ruajtjen e prapanicave të tyre nga makina, por të jeni të bindur se një gjë të tillë nuk do ta realizojnë kurrë atë”, theksoi Berisha. Kreu maxhorancës bëri të ditur se fondet janë siguruar edhe nga rritja e lufta kundër korrupsionit. Për buxhetin ai theksoi se “do të rriten 7-14% pagat dhe pensionet, ku mjekët, arsimtarët dhe infermierët do të pësojnë një rritje nga 10-14%. Pensionet e fshatit do të rriten deri në 15%”.