TIRANE - Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon mazhorancën e re qeverisëse për shkeljen e Kushtetutës, me krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Berisha shkruan: “Në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, nenin 163 të saj, që thotë se Prokuroria ushtron ndjekjen penale, ky ligj i merr Prokurorisë hetimin dhe ia kalon atë Policisë dhe sipas tij, jo kryepolici, por kryeministri i vendit do të jetë dhe kryehetuesi i shtetit.”

Sipas Berishës, krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit i jep kryeministrit Rama të drejtën për të vendosur hetimin e Presidentit të Republikës, bashkëkryetarit të mazhorancës Meta, ministrave të tij.

“Rama i kthehet kështu pasionit të atit të tij shpirtëror Enver Hoxhes dhe dajë Kolekes. Por kjo është vetëm njëra anë e zezë e medaljes apo sakrificës së Edi Ramës. Ana tjetër sterrë e saj është fakti që do jetë Rama, vete ai, i cili do të vendosë për hetimin e Presidentit të Republikës, bashkëkryetarit të mazhorancës Meta dhe ministrave të tij. Por prisni sakrificën sublime të Edvinit! Sipas këtij ligji, dhe mos kujtoni se po tallem, do te jete Rama kryehetuesi i shtetit i cili do të vendosë për hetimin dhe do të hetojë Ramën kryeministër të vendit. Ky është një akt heroizmi socialist. Rama do të vendosë për hetimin e tij. Miq, këto janë karnavalet e pushtetit Rama - Meta!”- përfundon Berisha në “Facebook”.

(er.nu/BalkanWeb)