Nga Julian Kasapi


Mesfushori lushnjar Alban Byzhyti thekson se skuadra e tij nuk mund të dështojë këtë sezon, sepse i ka të gjitha mundësitë për sukses


Pavarësisht temperaturave të ulëta, skuadra lushnjare, e drejtuar nga trajnerët  Sajmir Malko dhe Dritan Çuko ka zhvilluar një seancë të rregullt stërvitore. Lushnja u mund në miqësoren me Apoloninë ditën e mërkurë, por në mbizotëron një atmosferë pozitive dhe dëshirë e madhe për të marrë gjithçka nga programi stërvitor.


Në miqësoren me fierakët ra në sy aktivizimi i sulmuesit Mikel Canka në pjesën e dytë. Ai e ka lënë pas dëmtimin dhe kjo është një shenjë e mirë për stafin teknik, ashtu si rikthimet e kapitenit Çela dhe mesfushorëve Topi e Sula.


Prapavija Ajo që shqetëson për momentin është prapavija, pasi porta dhe mbrojtja patën vështirësi. Lushnja luajti me portierin e 4-t, pasi 3 të tjerët, Bejte, Guga dhe Kaloshi, janë të dëmtuar. Portieri Bejte nuk ndien dhimbje në hundë, por është e rrezikshme që talenti lushnjar të luajë pa maskë mbrojtëse, për gjetjen e së cilës nuk ka ende asnjë sinjal. Nuk ishin të gatshëm edhe dy qendërmbrojtësit Xhafa dhe Bufasi, por deri në nisjen e fazës së dytë pritet që ata të jenë në dispozicion të trajnerit Malko.


Byzhyti Mesfusha është shfaqur si reparti më i fuqishëm. Titullarët e saj, duke nisur nga kapiteni Çela, për të vazhduar me Renato Sulën, Alban Byzhytin dhe Fatjon Topin, janë të gjithë në formën e tyre më të mirë. Skuadra sa vjen e përmirësohet. Kemi disa mungesa për shkak dëmtimesh, por kemi punuar vërtet shumë si në Ulqin, ku kushtet ishin mjaft të mira, ashtu edhe në Lushnjë.


Më vjen mirë që është rikthyer nga dëmtimi së pari kapiteni Çela, por edhe të tjerët. Për mua është kënaqësi të luaj në këtë grup futbollistësh, që është kompletuar me ardhjen e Xhafës, një pikë e fortë në qendër të mbrojtjes. Kemi ende për të bërë, por mendoj se me mbështetjen që kemi nga presidenti dhe donatorët e ndryshëm, Lushnja do ta arrijë objektivin, ngjitjen në superligë.


Kam bindjen se me këtë kontigjent jemi vërtet skuadra, që e meriton e para ngjitjen në superligë. Do ta arrijmë patjetër, edhe pse lufta në pjesën e dytë të sezonit do të jetë mjaft e fortë, – ka theksuar mes të tjerash mesfushori Alban Byzhyti.


 


5 lojtarë


të dëmtuar të prapavijës përbëjnë aktualisht problemin akut të stafit teknik lushnjar. 3 prej tyre janë portierë dhe konkretisht Bejte, Guga dhe Kaloshi, madje të parit i duhet patjetër një maskë mbrojtëse për fytyrën që të luajë. Dy të dëmtuarit e tjerë janë qendërmbrojtësit Bufasi dhe Xhafa, por për ta shpresohet se do të jenë gati shumë shpejt