ADA HAZIZOLLI / Shqipëria mbetet e fundit në Europë për nga numri i testeve të kryera për 1 milion banorë.mjeke infektivi koronavirus


Në fakt, e ruajmë këtë pozicion që prej fillimit të pandemisë, por kjo duket se nuk e shqetëson aspak qeverinë. Përgjatë 4 muajve, pra nga muaji mars kur edhe u konfirmua zyrtarisht edhe rasti i parë me COVID-19, nëse vendet e tjera kanë shumëfishuar numrin e tamponëve me qëllim për të pasur një pasqyrë të situatës reale, në vendin tonë jo vetëm nuk ka ndodhur një gjë e tillë, por kanë munguar edhe përpjekjet.


Në asnjë rast qeveria nuk e ka pasur prioritet që të rrisë rezervat e testeve dhe ti shfrytëzojë ato për të detektuar të gjitha kontaktet e mundshme dhe jo në mënyrë selektive, siç është duke u vepruar. Të besojmë vërtet që kjo është pjesë e strategjisë, apo bëhet fjalë për të mos prekur financat e buxhetit të shtetit?! Nga ana tjetër, ama është e njëjta qeveri që në rastin e pandemisë i mendon dy herë shpenzimet, por kur bëhet fjalë për koncesione del garante për rrugë me kosto 1.2 miliardë euro, duke shpërfillur çdo apel qoftë nga ekspertët, qoftë edhe nga opozita, duke mos rritur numrin e testeve.


TESTET


Përgjatë këtyre muajve të pandemisë janë kryer mesatarisht 200 deri në 300 teste në ditë. Një numër ky relativisht i ulët, që ka prodhuar një paraqitje grafike që vështirë të shpjegohet nga ekspertët. I pyetur disa herë mbi këtë çështje, pra për domosdoshmërinë e rritjes së numrit të tamponëve në popullatë, Kryeministri Rama është justifikuar duke thënë se kjo është pjesë e strategjisë së Komitetit Teknik të Ekspertëve, e cila, sipas tij, gëzon edhe mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.


EKSPERTËT


Në mënyrë të vazhdueshme ekspertët kanë bërë thirrje që të rritet numri i testeve, pasi në këtë mënyrë jo vetëm biem në gjurmën e çdo personi të infektuar, por, çfarë është më e rëndësishme, bëhet diagnostikimi i hershëm i sëmundjes. Është fakt tanimë që në fazat e para sëmundja është më e lehtë të menaxhohet.


Testimi i vonuar mund të shpjegojë edhe numrin e lartë të vdekjeve nga COVID-19 përgjatë muajit qershor dhe në fillim të këtij muaji. Po të vëreni me kujdes kurbat shqiptare të rasteve të reja dhe të vdekjeve, do të vini re se rastet shoqërohen pothuajse menjëherë me vdekje, pra nuk qëndron ajo pritja me 5-10 ditë. Mundësia më e madhe është se shumica dërrmuese e këtyre vdekjeve kanë ndodhur në pacientë spitalorë të shtruar me sëmundje të tjera të rënda.


Si rrjedhojë, koha ndërmjet tamponit pozitiv dhe vdekjes është më e shkurtër se sa mund të pritej, pasi pacienti është në gjendje të rëndë që në fillim nga sëmundjet e mëparshme, pa lidhje me COVID-19. Tjetra mundësi, më pak e mundshme, është se këta pacientë janë testuar vonë gjatë ecurisë së sëmundjes, si rrjedhojë nuk kanë pasur mundësi për trajtim sa më herët. Kjo është arsyeja pse nevojiten sa më shumë testime, që pacientët të zbulohen sa më herët dhe të trajtohen sa më shpejt, ka vënë në dukje më herët mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti.


Domosdoshmëria për të kryer sa më shumë teste është vënë disa herë në dukje edhe nga eksperti i shëndetit publik Erion Dasho. Pavarësisht se 3 T-të e devizës `Test-Test-Test` kanë ndryshuar, dhe ajo tashmë është transformuar në `Test-Track-Treat` (testo-gjurmo-trajto), testimi mbetet baza e përgjigjes. Kjo sepse pa të dhëna të besueshme është e vështirë të ndërtosh një përgjigje efektive ndaj COVID-19″, ka shkruar doktori në rrjetet sociale.


TESTE PËR PACIENTËT E QSUT


Pas hapjes së madhe dhe heqjes së kufizimeve, QSUT-ja u kthye në vatrën kryesore të infektimit. Janë të shumtë ata qytetarë që janë shtruar në QSUT përgjatë kësaj periudhe dhe kanë dalë prej aty të infektuar. Mësohet se për këtë Ministria e Shëndetësisë do të nisë që të kryejë teste tek të gjithë pacientët që paraqiten në spital. Sipas Ministrisë, kjo do të bëhet për të pasur garanci që pacientët nuk po dalin që prej aty të infektuar me COVID-19. Më mirë vonë, se kurrë i thonë kësaj.


1 2