Partia kristiansociale CSU e ministrit të Brendshëm Horst Seehofer dhe kryeministrit aktual Markus Söder ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhjet për landin e Bavarisë. Mirëpo pikërisht kjo parti ka shënuar rënien më të madhe në vota, në krahasim me zgjedhjet e kaluara.


CSU sipas prognozave të para ka fituar 37,3% të votave, që do të thotë se ajo e ka humbur shumicën absolute, që e ka pasur në mandatin e deritanishëm. Ky është rezultati i dytë më i dobët i CSU pas Luftës së Dytë Botërore. CSU-së, e cila tradicionalisht gjendet në pushtet në Bavari, për të vazhduar qeverisjen i duhet të paktën një partner në koalicion.


Parnter i mundshëm i CSU-së në koalicionin e ardhshëm mund të jetë Partia Ekologjiste, e cila ka shënuar një rritje serioze të votave, me rreth 17,7%. Vendin e tretë e kanë zënë “Zgjedhësit e Lirë” me rreth 11,5% të votave të fituara. Edhe kjo parti mund të jetë partnere e CSU në koalicion.


Fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve


Krahas ekologjistëve, ndër partitë të cilat mund të festojnë për shkak të rezultat të arritur është edhe partia ekstremiste e djathtë, Alternativa për Gjermani (AfD), e cila ka fituar 10,3% të votave. Ndërsa krahas CSU-së, humbëse e madhe e këtyre zgjedhjeve në Bavari është edhe Partia Socialdemokrate (SPD), e cila deri tani ka qenë forca dytë politike në këtë landi.


Në këto zgjedhje SPD ka fituar sipas prognozave të para, vetëm rreth 9,6 % të votave, që do të thotë se ka rënë në pozitën e pestë, që është një prej rezultateve më të dobëta të kësaj partie. Shikuar ngë rezultatet e deritanishme në Landtag (parlamentin e landit) është futur edhe partia liberale FDP, me rreth 5% të votave.


Por kjo parti duhet të dridhet deri në numrimin e të gjitha votave, për të qenë e sigurt nëse vërtet e ka kaluar cenzusin prej pesë përqind. Ndërkohë që e sigurt është se e Majta do të mbetet jashtë parlamentit, për shkak se ajo ka fituar vetë,m 3,5% të votave.


15 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)