Vetëm pak ditë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda pranoi në seancën paraprake kërkesën e prokurorëve për të marrë si të pandehur ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.


Këtë të mërkurë është hedhur edhe shorti për trupën gjykuese që do të drejtojnë çështjen kundër tij, trupë që përbëhet nga Ardit Mustafai, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka.


Saimir Tahiri është vënë nën akuzë për trafik narkotikësh, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, e akuzohet së bashku me 3 ish-zyrtarë policie, të cilët janë në kërkim.


Në përfundim të asaj seance, ministri Tahiri tha në një deklaratë për mediat se ka ardhur koha ti jepet fund kësaj historie zvarritjeje pa fund, ndërkohë që kërcënoi se tashmë do të nisë të flasë edhe ai, edhe pse deri më sot nuk e ka bërë.


Unë kërkova që gjykimi të mos jetë një histori zvarritjeje e pafund. Prokuroria pretendon atë që pretendon, ndërsa unë kam shumë më shumë për të pretenduar sesa Prokuroria, kështu që nuk ka nevojë për zgjatje pafundësisht. Në këtë rast do tiu lutesha juve të bëni kujdes kur ta citoni dhe të saktësoni që unë vazhdoj dhe do të vazhdoj deri në fund të argumentoj atë që kam pretenduar që nga fillimi, që nuk kam pikën e lidhjes me këtë çështje.


Sot e tutje do të flas edhe unë sigurisht, në gjykatë dhe për publikun. Ky nuk mund të jetë më një proces i mbyllur, ku provat të ashtuquajtura, trafikohen. Unë jam prapë ministri kampion, të jeni të bindur për këtë. Atë që kam bërë për Policinë e Shtetit nuk do ta zhbëja kurrë, tha Saimir Tahiri.


T.CH