Lorik Cana është thuajse një lojtar i Sanderlendit. Lojtari më i shtrenjtë shqiptar do të luajë në Premier Ligë. Mediat britanike janë marrë imtësisht me biografinë sportive të ish-kapitenit të Marsejës. Jeta e Canës në mediat britanike nis me faktin, se Loriku kishte ikur Kosova në Zvicër për t’i shpëtuar luftës me Serbinë, dhe faktin tjetër se babai i tij, ishte një prej futbollistëve më të famshëm të Ish-Jugosllavisë së viteve 1980.



Cana u bashkua fillimisht Lozana Sports në Zvicër, përpara se të transferohej te Paris Sën Zhermeni në Francë në vitin 2000. Loriku zhvilloi 69 ndeshjes me PSG-në, duke shënuar dy gola. Gjatë kësaj kohe ai tërhoqi vëmendjen e shumë prej klubeve më të mëdha evropiane, midis tyre dhe të Arsenalit, që e ftoi djaloshin për një test kontrolli, por që nuk u realizua për shkak të mosmarrjes së vizës hyrëse në Angli. Arsen Venger është prej një kohë të gjatë admirues i lojës së Canës.



Lorik Cana u transferua te Marseja në sezonin 2005-2006 dhe deri tani ka bërë 122 paraqitje për klubin, duke shënuar 6 gola. Ai e mori shiritin e kapitenit nga Habib Beje, i cili u transferua te Njukasëll në vitin 2007 dhe e udhëhoqi Marsejën për ta mbyllur sezonin e fundit si nënkampione e Francës, pas Bordosë. Edhe pse Cana lindi në ish-Jugosllavi dhe u rrit në Zvicër, Cana zgjodhi të përfaqësojë Shqipërinë në nivelin ndërkombëtar, duke e shpjeguar këtë se vendimi u mor me zemër sesa me kokë.



Cana zotëron pasaportën franceze, zvicerane dhe shqiptare. Cana njihet për kartonët e marrë:  në 191 ndeshje në Ligën franceze, Cana është ndëshkuar me 62 kartonë të verdhë dhe 4 kartonë të kuq.



Ndeshja e parë e tij me Kombëtaren shqiptare daton në vitin 2003, kur ai ishte 19 vjeç. Cana numëron për momentin 37 ndeshje dhe një gol me përfaqësuesen shqiptare.


E Premte, 24 Korrik 2009