Fondacioni "Qemal Stafa" organizoi dje tryezën me temë "Zhvillimi dhe mirëmenaxhimi i ekonomisë shqiptare", në të cilën morën pjesë përfaqësues të shumtë të shoqërisë civile. Drejtori ekzekutiv i fondacionit, në hapje të tryezës, tha se "ekonomia shqiptare është në prag të staniacionit. Inflacioni ka tejkaluar limitet ligjore. Lufta kundër korrupsionit ka dështuar". Sipas Saimir Tahirit, reforma e administratës publike është gjithashtu e dështuar, gjë që edhe institucionet ndërkombëtare që asistojnë në Shqipëri e kanë theksuar më shumë se një herë, si fakt që po rëndon në zhvillimin e vendit. "Mungon një vizion i qartë dhe harmonizim i strategjive afatgjata, fakt ky që ka prodhuar kaotizëm, humbje kohe dhe humbje eficense", u shpreh Tahiri. Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë nënvizoi se progresi ekonomik i Shqipërisë mbetet i brishtë e mjaft larg standardeve që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe duke paraqitur një rrezik relativisht të lartë të prishjes së tij. "PBB për frymë, megjithëse në rritje, është akoma në nivele nga më të ulëtat në Evropë; normë në ulje papunësie, por në nivele mbi dyshifrore; tregues deficiti mbi normën e kërkuar për integrim në BE dhe për më tepër, me një parashikim për dyfishim në 2008-ën", vlerësoi situatën Cani. Ndërsa vuri në dukje edhe deficitin e lartë tregtar në përkeqësim; krizën energjetike, me cikle të shpeshta përsëritëse dhe pa ndonjë perspektivë për zgjidhje të shpejtë. Sipas Shkëlqim Canit, informaliteti dhe korrupsioni janë në nivele të frikshme. "Miratimi i ligjit të famshëm të gjobave, ligjit të ri të procedurave tatimore që do të hyjë së shpejti në fuqi, aplikimi ndaj biznesit i çmimeve të referencës, pagave të referencës, fitimeve të referencës etj, nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po përkeqësojnë klimën e biznesit", shtoi Cani. Sipas Enea Jankos, ekspert i zhvillimeve ekonomike, "në Shqipëri, pavarësisht se biznesi privat mban peshën më të madhe të rritjes së ekonomisë sonë kombëtare, nga ana e qeverisë nuk ka një kuptim të qartë të rolit dhe rëndësisë së tij të vërtetë për prosperitetin e vendit". Besnik Leskaj, ekspert i zhvillimeve ekonomike, vuri në dukje se "sot ekonomia shqiptare nuk mund të konsiderohet si një ekonomi totalisht e hapur dhe plotësisht e orientuar nga tregu". Ai insistoi në faktin se tregu paraqet deformime serioze, pasi institucionet e ngritura për ta monitoruar dhe pse të asistuara nga institucione ndërkombëtare, nuk kanë qenë në nivelin e duhur profesional dhe shpesh janë bërë pre e politikës.