Carlos Sanchez u bë protagonist në sfidën mes Kolumbisë dhe Japonisë, pasi ndali topin me dorë që në minutën e 3-të të sfidës, duke bërë që të ndëshkohej me karton të kuq dhe japonezët të shpërbleheshin me 11-metërsh.


Zemërimi në rrjetet sociale ishte i pamasë ndaj mesfushorit që luan me Fiorentinën në Serinë A, ndërsa nuk munguan as kërcënimet me jetë.


Shumë tifozë të indinjuar, kërcënuan Sanchez, duke i kujtuar Andres Escobar, mbrojtës kolumbian që u vra pas Botërorit të SHBA-ve më 1994-ën, pasi kishte shkaktuar një autogol.


Kjo ka bërë që policia në Kolumbi të hapë një hetim të menjëhershëm dhe të detajuar për të parë rrezikun real të rastit në fjalë dhe për të parandaluar përsëritjen e rastit Escobar.


21 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)