E ardhmja e Edinson Cavanit do të jetë ose Reali i Madridit ose Manchester City.



Të paktën, kështu siguroi të enjten nëna e tij, në një intervistë të dhënë për një të përditshme uruguajane nga kryeqyteti Montevideo. Ndonëse golashënuesi më i mirë i Serisë A është në kontratë me Napolin, e ëma pranoi se “ekzistojnë dy propozime nga City dhe Reali, të cilat Edi po i merr në konsideratë”. E pyetur nëse dinte diçka për një interesim të mundshëm të Jose Mourinhos, ajo u përgjigj: “E di që presidenti i Napolit (De Laurentis) ka pasur një komunikimin me Chelsea, por nuk ka asgjë konkrete”. Aq e mirëinformuar është zonja Cavani, sa që ajo mundi të vendoste afate të qarta mbi të ardhmen e djalit të saj. “Mendoj se në 15-20 ditë do të njohim përfundimisht të ardhmen e tij, edhe pse nëse do të ketë diçka konkrete, familja do të jetë e para që do ta mësojë. Në çdo rast, Edinson e dashuron Napolin dhe nëse do të largohet, nuk do ta harrojë për të gjithë jetën dashurinë e ngrohtësinë që ka ndierë në këtë qytet”, shtoi e ema e “El Matador”-it. / Top Channel