Presidenti Ilir Meta i kërkoi sot kryeparlamentarit Gramoz Ruçi ngritjen e një Komisionit Parlamentar Hetimor, pasi Kreu i Shtetit ka dyshime të forta për mënyrën si u krye pajisja me çertifikatë sigurie e Gent Cakajt, të propozuarit nga kryeministri Edi Rama për ministër të Jashtëm në vetëm 24 orë, nga Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar.


Duke iu referuar kërkesës së Metës, mediat kërkuan edhe nga kreu i PD, Lulzim Basha mendimin për çështjen që implikon DSIK-në dhe kryeopozitari ka mbështetur Presidentin, madje duke thënë se kemi nisur punën për të hetuar në të gjitha format.


Basha i shkoi edhe më thellë çështjes, duke shtuar se PD do të kërkojë hetim për kryeministrin Edi Rama, ministrin e jashtëm Ditmir Bushati, zv/ministrin Gent Cakaj si edhe institucione të tjera përgjegjëse.


Gazetarët: Presidenti Meta ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor ndaj DSIK-së për rastin Caka, ju do i bashkoni votat me LSI-në për ngritjen e e këtij komisioni?


Basha: Nuk jam në dijeni të kërkesës së presidentit, por që prej publikimit dje të dekretit të Presidentit, ashtu siç bëra publike dhe në emisionin Opinion mbrëmë, kemi nisur punën për të hetuar në të gjitha format e mënyrat duke përfshirë dhe hetimin parlamentar, përgjegjësitë e DSIK-së, zv.ministrit Caka, ministrit Bushati, kryeministrit Rama dhe Shërbimit informativ të shtetit në dhunimin e ligjit për informacionin e klasifikuar sekret në Republikën e Shqipërisë dhe pasojat që kjo ka për sigurinë kombëtare dhe sigurinë e NATO-s.


Gazetarët: Pra do kërkoni ju një komision hetimor Zoti Basha?


Basha: Këtë që sapo ju thashë. Besoj isha i qartë?


11 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)