Fytyra e saj ka kohë që është e njohur për të gjitha amerikanët, por tanimë me një tjetër pamje dhe moshë. Nuk është më adoleshentja që banoi 8 vjet në Shtëpinë e Bardhë si vajza e Presidentit, por një grua e re, me një buzëqeshje që i shndrit gjithë kohës në fytyrë. Ajo është Chelsea Victoria Clinton: arma jo edhe aq sekrete në duart e nënës së saj, Hillary Clinton, për t‘u bërë gruaja e parë në krye të qeverisjes amerikane. Një javë më parë ajo madje mori në dorë një pjesë të drejtimit të fushatës në shtetin e Pensilvanisë, një nga shtetet e betejave të fundme të të dy kandidatëve. Në një takim që organizoi me studentët e një qyteze të vogël, veshur me xhinse dhe një bluze pambuku, me një të folur të qetë e shprehje të zgjedhura, u mundua që të shpjegonte në detaje gjithë politikën dhe programin e së ëmës dhe madje iu përgjigj edhe shumë pyetjeve që i erdhën nga auditori, si të ishte një kandidate e vërtetë. "Jam këtu për t‘iu ndihmuar në gjërat më të rëndësishme për ju dhe duke bërë këtë shpresoj që të ndihmoj edhe mamanë time", iu drejtua Chelsea grupit prej 400 studentësh. Ky takim dhe të tjerë të këtij lloji nuk përbëjnë ndonjë fakt të jashtëzakonshëm për një fushatë elektorale, por hyrja emergjente e vajzës së Clinton-ve në një fazë kritike të zgjedhjeve është një zhvillim shumë interesant. Pjesa më e madhe e amerikanëve ende e konsideron vajzën si një person të qetë, të tërhequr, rrethuar vazhdimisht nga djemtë e shërbimit sekret, pra ende kanë për të imazhin e dikurshëm të Shtëpisë së Bardhë. Por ja ku befas është shndërruar në një person të rritur, me besim në vetvete dhe një oratore që tërheq vëmendjen e njerëzve. Ajo është një 28-vjeçare inteligjente, karizmatike dhe që arrin të të bindë e të të bëjë për vete. Pavarësisht moshës, ajo ia del mbanë me lehtësi që t‘i bëjë kuriozë njerëzit që vijnë për ta dëgjuar dhe për shumë analistë ka mjaftueshëm nga karizma e të atit. E ndërsa u tregua e hapur ndaj studentëve për t‘iu përgjigjur çdo lloj pyetjeje të tyre, që në fillim të takimit ajo u kërkoi të rinjve vetëm një gjë: "Mos më pyesni për vitet e kaluara në Shtëpinë e Bardhë". Kjo është e kuptueshme. Personat e njerëzve të famshëm ndodhen gjithmonë nën vëzhgimin e njerëzve, por presioni që përjetojnë banorët e Shtëpisë së Bardhë është i pakrahasueshëm me ndonjë të ngjashëm. Kjo, sepse Shtëpia e Bardhë është në qendër të vëmendjes së botës 24 orë në ditë dhe sigurisht nuk është vendi më i lehtë ku dikush mund të pretendojë të kalojë një fëmijëri të lumtur e të qetë. Chelsea hyri në Shtëpinë e Bardhë në moshën 12-vjeçare në 20 janar të vitit 1993, pas betimit të Clinton-it në mandatin e tij të parë. Prindërit e saj u konsultuan me Jackie Kennedy-n në lidhje me përballjen e fëmijëve me një ambient si Shtëpia e Bardhë dhe morën vendimin që vajzën e tyre ta përfshinin sa më pak në jetën publike. Që në fillim shtypi u paralajmërua që të mos ndërhynte asnjëherë në jetën e vajzës, as me pyetje dhe as me ndjekje personale. Megjithatë të gjithë e dinin se ajo shkoi në një shkollë të mirë, e donte shumë teatrin dhe luante futboll. Por, krahasuar me shumë raste të ngjashme, ajo ishte një fëmijë i mbrojtur dhe i ekspozuar minimalisht ndaj publikut. Megjithatë pati edhe ngjarje që nuk iu bindën vullnetit të Shtëpisë së Bardhë, si për shembull disa emisione televizive humoristike, në të cilat vajza e vogël krahasohej me një qen bulldog të shëmtuar, apo edhe raste të tjera, por në krye të tyre, sigurisht si për të gjithë familjen, edhe për pinjollen e vetme të Clinton-ve ishte skandali i Monica Lewinsky-t. Çdo fëmijë lëndohet nga gabimet e prindërve, por imagjinoni se ç‘duhet të ndjejë një fëmijë, skandali i prindit të së cilit bëhet subjekt i medias botërore. Ajo ndodhej në një dhomë me të atin, kur ai, së bashku me ndihmësit e tij, diskutonin se si të dilnin nga situata. Ajo lexoi gjithë raportin e detajuar e zyrtar të prokurorit të çështjes Lewinsky, Keneth Star, në lidhje me marrëdhëniet intime të të atit me stazhieren. Kur i ati e mori vesh se e bija e kishte lexuar materialin, qau. Chelsea u diplomua në kolegj me një temë për procesin e paqes në Irlandën e Veriut. Një nga intervistuesit të cilëve ajo iu referua në punën e saj ishte pikërisht i ati. Kur delegacionet e palestinezëve dhe izraelitëve u takuan për nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në Camp David në vitin 2000, një nga gjërat që ata kishin të përbashkët ishte kënaqësia që provuan nga biseda me Chelsean. Pas shkollës amerikane ajo vazhdoi studimet në Oxford. Edhe në Angli ajo ishte një person i njohur. Ndërkohë që studionte, sigurisht që frekuentonte edhe jetën e natës dhe pikërisht në këtë periudhë u bë shoqe edhe me amerikanet që jetonin në Britaninë e Madhe si Madonna, apo Guineth Paltrow e Kevin Spacey. Pas Britanisë erdhi Nju Jorku dhe një jetë e re do të niste për vajzë tashmë grua. Ndryshe nga sa mund të mendohet, Chelsea ka pasur gjithmonë jetë dhe kushte të zakonshme. Ajo u shndërrua në një grua nga Manhattan, që po shkëputej gjithnjë e më shpejt nga imazhi i banores së qetë të Shtëpisë së Bardhë, për t‘iu afruar atij të vajzave të serialit "Sex and the City". Ndryshoi krehjen e flokëve dhe veshjen. Nisi një punë si konsulente në një konsulencë elitare dhe i bëri për vete njerëzit me mençurinë dhe dedikimin në punë. Në këto e sipër nisi edhe historinë e dashurisë me një bankier të ri, pra me pak fjalë u shndërrua në një grua të pavarur dhe të fuqishme. E megjithatë profili mediatik i Chelsea-s nuk ka qenë kurrë i lartë. Ajo ka refuzuar gjithmonë që të japë intervista televizive dhe nuk qenë kurrë vizitore e rregullt e restoranteve ku shkojnë zakonisht VIP-at. Por në një qytet si Nju Jorku, të mbushur me njerëz të famshëm që bëjnë skandale pas skandalesh, sjellja e përkorë e vajzës së ish-presidentit amerikan dhe vetë ajo nuk mund të kalonin pa rënë në sy. Ndryshimi dhe shfaqja e të resë së Clinton-ve erdhi gradualisht, hap pas hapi. Dhe momenti i daljes në skenë është pikërisht momenti më i rëndësishëm në karrierën e së ëmës: fushata zgjedhore. Ndërsa ajo pëson ulje-ngritjet e veta, duket se në dorë komandën e ka marrë 28-vjeçarja, e cila më shumë se kurrë po merr një pozicion drejtues, pas skene, por në disa raste edhe përballë elektoratit të së ëmës. Gjithçka nisi me shfaqjen e saj fillimisht të heshtur përkrah të ëmës në fillim të garës, por ndërsa rruga e Hillary-së drejt presidencës u vështirësua shumë nga fitoret e papritura të Obama-s, Chelsea doli në krye duke e eklipsuar edhe figurën e të atit. Ajo është pjesë e stafit elektoral, takohet me njerëz, më shumë me të rinj, duke u përpjekur që të luftojë ndikimin e madh që Obama ka te të rinjtë. Ajo ka bërë fushatë në 31 shtete dhe deri tani ka zhvilluar 78 takime me të rinjtë. Shpesh herë i jep vetë makinës nga një vend në tjetrin dhe kur i duhet të marrë avionin e bën me linja të zakonshme dhe jo me avionë privatë. Vetëm gjatë 2 shkurtit mori 5 linja fluturimi të ndryshme. Tani ka nisur që të lobojë edhe për mbushjen e mendjes së të ashtuquajturve "superdelegatë", të cilët janë shumë të rëndësishëm në votën finale për nxjerrjen e kandidatit zyrtar të demokratëve. Anëtarët e fushatës së Clinton-it e konsiderojnë vajzën si ‘efekti Chelsea‘". Muajt në vijim do të jenë të vështirë dhe vendimtarë për të gjithë dhe sigurisht edhe për Chelsea-n. Me rolin e saj të ri, sigurisht që ajo nuk mund të pretendojë më që t‘i shmanget vëmendjes së medias, megjithatë ende nuk ka dhënë një intervistë edhe pse për të janë bërë shumë shkrime në revista të ndryshme. Ka pasur edhe disa incidente të vogla me rrjetin NBC, çka tregon se nëse Chelsea ka vendosur që të bëhet pjesë e jetës publike dhe veçanërisht nëse ajo do të jetë një faktor i rëndësishëm në të, atëherë duhet të mësohet edhe me përndjekjen e medias. E gjithë vëmendja që i drejtohej në vitet e adoleshencës, edhe pse atëherë ajo ishte e mbrojtur nga dy prindër të fuqishëm, do t‘i rikthehet. Ndërkohë, ka shumë qarqe politike të cilat janë të mendimit se hyrja e Chelsea-s në politikë në këtë mënyrë është e përllogaritur. Në një vend që tashmë mund të quhet i mësuar me qeverisjen e dinastive politike të Bush-ve dhe Clinton-ve edhe vetë Chelsea nuk ka si të jetë një përjashtim nga loja dhe mund të jetë në përgatitje e sipër për t‘u lançuar në një pozicion zyrtar. Po a mundet ajo që të mbartë gjithë ambicien gjiganteske politike të të dy prindërve të saj? Përgjigjja është "kurrë". Përmes fjalëve të saja, gjatë një fjalimi në Ohajo, ajo tha se qëllimi i vetëm i aspiratës së saj politike ishte ndihma ndaj nënës së saj, Hillary Clinton, për t‘u bërë Presidente. Deri tani pozicioni që ka marrë Chelsea në fushatë bazohet dukshëm në dy fakte: së pari, në faktin se ajo është e zonja në atë që bën; së dyti, ajo është besnike dhe e bindur ndaj prindërve të saj dhe madje edhe ambicieve të tyre. Dëshira e saj është të shohë të ëmën Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe po e ndihmon atë që të arrijë objektivin. Për këtë po përdor edhe një sasi të mirë të feminizmit. Nëse Hillary Clinton do të hyjë triumfuese në Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara do të kenë presidenten e tyre të parë femër, burrin e parë në historinë e tyre, por jo më vajzën e parë me emrin Chelsea. Ajo ka qenë në një pozicion të tillë më parë dhe shpesh duke bërë shaka me miqtë thotë se nuk ka ndërmend që të shkojë të banojë me prindërit, sepse tashmë e ka lënë pas moshën e fëmijërisë.

SSSASS