Asnjë surprizë  në 3 sfidat e para. Chelsea kalon me goleadë, Napoli vuan por kualifikohet në çerekfinale ndërsa surpriza e vërtetë e ndeshjeve të dyta të raundit të 1/8-ave të zhvilluara në orën 18:55 mund të ishte Krasonodar që i shkoi shumë pranë kualifikimit dhe ndoshta do ta kishte merituar por një gol në sekondat e fundit i portugezit Goncalo Guedes i preu biletën për më tej Valencias.


Në kryeqytetin e Ukrainës Kyiev, Chelsea dhuroi spektakël ndaj Dinamos vendase duke fituar 0-5 në ndeshjen e kthimit dhe me rezultat të përgjithshëm 8-0 avancoi në çerekfinale. Olivier Giroud me një 3-golësh, Marcos Alonso dhe talenti Hudson Odoi ishin ata që udhëhoqën skuadrën e Sarrit drejt një suksesi të thjeshtë. E nisi shumë mirë edhe Napoli sfidën e kthimit ndaj Salzburg në Austri duke kaluar në avantazh me Milik pas vetëm 14 minutash lojë, por në fund të kaltrit u dorëzuan pa kushte, pasi ishin austriakët ata që triumfuan 3-1 me gola të Dabbur, Gulbrandsen dhe Leigteb.


Megjithatë në çerekfinale shkoi skuadra e Ancelottit që kishte fituar 3-0 në ndeshjen e parë. Në Rusi u zhvillua edhe ndeshja më e luftuar me Krasnodarin që luajti më mirë se Valencia por realizoi vetëm një gol edhe atë shumë vonë, në minutën e 85-të, falë një goditjeje spektakolare nga distanca të Suleymanov. Por nuk ishte e thënë që rusët të kualifikoheshin se Goncalo Guedes me golin e tij në minutën e 93-të u ngriu buzëqeshjen në fytyrë tifozëve të Krasnodarit. Valencia u kualifikua falë suksesit 2-1 në sfidën e parë.


Gazeta Shqip