Ishte spekuluar tash e një kohë të gjatë, por tani është zyrtare. Leonardo ka njoftuar se do të largohet nga posti i trajnerit të Milanit në marrëveshje të përbashkët me klubin, pas ndeshjes së fundit në Serie A kundër Juventusit të shtunën mbrëma në San Siro.



Leonardo kaloi një vit në detyrë pas kalimit të Carlo Ancelottit në Chelsea më 2009 dhe udhëhoqi Milanit drejt pozitës së tretë në Serie A dhe kualifikimit për në Ligën e Kampionëve. “Jemi këtu së bashku për të njoftuar se kemi arritur marrëveshje për të vazhduar në drejtime të kundërta. Do ta bëjmë këtë në mënyrë të qetë, siç ka qenë gjithmonë mënyra e punës sonë në vitet e kaluara. Nuk vjen si befasi, ne thjesht erdhëm në fund”, tha Leonardo.



“Kemi arritur objektivin tonë për kualifikim në Ligën e Kampionëve, por sot kemi vendosur të formalizojmë këtë vendim”, shtoi ai. Spekulimet rreth largimit të Leonardos filluan pas eliminimit të Milanit në fazën e dytë të Ligës së Kampionëve nga Manchester United. Për pjesën më të gjatë të sezonit, Milan ishte rivali kryesor i Interit dhe humbi dy herë rastin për të kaluar në pozitën e parë në muajin mars, ndërsa më pas e kaloi Roma dhe do të përfundojë sezonin në pozitën e tretë.



“Milan nuk e ka kontaktuar askënd”, tha nënkryetari i Milanit, Adriano Galliani. “Ka ende mjaft kohë, ne nuk do të ngutemi për të marrë vendim dhe duhet t’i kushtojmë më tepër kohë. Nuk është nevojë të ngutemi për të marrë një vendim”, shtoi ai.



Milan ka theksuar të premten se Leonardo do të largohet nga detyra pas ndeshjes kundër Juventusit të shtunën. Leonardo luajti në Milan për katër vjet, mes 1997 dhe 2001, para se të kthehej në Brazil ku punoi në rolin e një skauti që i ndihmoi Milanit të sigurojë transferimin e Leite Kakas dhe Alexandre Patos. Më 2008 ai ishte emëruar drejtor teknik para se të merrte detyrën e parë si trajner pas largimit të Ancelottit në Chelsea.



“Nuk e dija si është të jesh trajner. Ishte përvojë e mirë, por nuk e di nëse do ta bëj përsëri në të ardhmen. Përfundimisht jo edhe pas disa viteve”, përfundoi Leonardo.