Grupi i edicionit të ardhshëm mund të jetë më i miri që kemi pasur ndonjëherë. Këto ishin fjalë e trajnerit të përfaqësueses së 21-vjeçarëve, Alban Bushi, në muajt e parë të vitit 2018. Tashmë koha e atij grupi, që tekniku e priste me padurim, ka ardhur.


Shpresat e edicionit të kaluar nuk dhanë shpresë, situata ka ndryshuar shumë në kuadër të fazës kualifikuese që do të nisë në mars të vitit 2019, të paktën kjo është ajo që pretendon Alban Bushi.


Miqësorja kundër Maltës dha sinjalet e para pozitive, kuqezinjtë e dominuan takimin, duke fituar 2-0. Sigurisht një takim testues nuk përcakton menjëherë objektivin madhor apo të dërgojë në qiell optimizmin, megjithatë është fakt që ndaj maltezëve skuadra i bindi të gjithë.


Gentian Selmani, edhe pse nuk luajti në miqësore, mbetet një garanci e madhe, ndërkohë që talenti është i pranishëm. Rubin Hebaj ka aftësi për të bërë diferencën, po ashtu si Esat Mala, ky i fundi po zhvillon një kampionat deri më tani të përsosur me Partizanin. Albion Ademi e Giacomo Vrioni aktualisht janë pjesë e Përfaqësueses A dhe rikthimi i tyre do tua shtonte akoma më shumë potencialin 21-vjeçarëve. Sherif Kallaku është një nga pikat e forta te Teuta.


Ëndrra e madhe është kualifikimi, megjithatë shumëçka do të varet nga shorti, që më datë 11 dhjetor do të përcaktojë se cilët do të jenë kundërshtarët e Shqipërisë. Alban Bushi ka besim absolut se tek grupmosha e vitit 1998, mbetet për tu parë nëse ky besim do të pasohet nga rezultatet apo një tjetër dritë shprese do të zhduket mes zhgënjimit.


17 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)