Prej hapjes së saj në vitin 1952 në krye të Galerisë Kombëtare të Arteve kanë qene artistë. Sa I ka shërbyer kjo këtij instititucioni? Duke pasur parasysh soc-realizmin ku drejtuesit thjesht zbatonin metodat e vendosura nga regjimi, pas viteve 90-të, ka pasur kritika që në krye të këtij institucioni më shumë se një artist duhej një menaxher arti. Mungesa e një zgjedhje të tillë duket se i faturohet dështimit të këtij institucioni ndër vite. Por le të hidhemi në vite e të shohim kush e ka drejtuar GKA-në që në hapje të saj më vitin 1952.


I pari që u zgjodh Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve është skulptori Shaban Hadëri. Jetëgjatësia e tij në krye të Galerisë ishte vetëm një vit 1952-1953. Hadëri u vendos në krye të këtij institucioni pas kthimit nga studimet e kryera në Shën Peterburg. Diploma e Hadërit me titull “Shokët” u ekspozua në Moskë, në ekspozitën e 13 vendeve socialiste të kohës. Me kthimin në atdhe, Hadëri do të ishte një nga pedagogët e parë në Institutin e Arteve të Tiranës, duke përgatitur brezat e artistëve të rinj shqiptarë. Skulptori i Popullit, Shaban Hadëri ishte një nga skulptorët e rëndësishëm të realizmit socialist. Në krijimtarinë e tij të gjerë zënë vend të gjitha gjinitë e skulpturës, duke filluar nga portretet, figurat, kompozimet figurave dhe monumentet e shesheve të qyteteve shqiptare. Ai është bashkautor i një prej 4 monumenteve kushtuar Enver Hoxhës (në sheshet e qyteteve), atij të vendosur në qendër të Tiranës më 1988-ën dhe që u rrëzua në marsin e viti 1991 nga qytetarët gjatë lëvizjes demokratike për rrëzimin e diktaturës. Në vitin 1953 për gati dy vjet në krye të Galerisë është Pali Dhimitri një njeri i lidhur me artin.



Pas tij më 1955 Galeria drejtohet nga piktori Nexhmejdin Zajmi. Zajmi kishte kryer studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Student i mjeshtrit Carlo Siviero , nga viti 1939-1944, Zajmi realizon disa tablo që janë edhe veprat e para të tij, ku mund të veçohen ajo e Puntorit të vogël, Pamje nga fusha e Romës, Brendija. Pasi kryen studimet dhe mbrojtjen e diplomës, Zajmi kthehet në Shqipëri e bashkë me një grup piktorësh e artistësh që u diplomuan në akademitë jashtë vendit, janë mësuesit e parë të brezit më të ri të piktorëve, skulptorëve dhe artistëve shqiptarë. Skulptori Odhise Paskali emërohet drejtor I GKA-së më 1957 për tu zëvendësuar më 1961-shin nga një tjetër skulptor Kristaq Rama. Tashmë kohëzgjatja e drejtorëve në krye të këtij institucioni nuk është më dy vjet por pesë vjet. Kujtim Buza piktor, dhe ky I ardhur nga studimet jashtë do të qëndrojë vetëm tre vjet në krye të Galerisë. Në 1969-të Galeria drejtohet nga një piktor. Eshtë Dhimitraq Trebicka I cili do të rrijë në krye të këtij institucioni deri në vitin 1982.



Më pas një tjetër skulptor vendoset drejtor i Galerisë eshtë Fuat Dushku I cili do ta mbajë këtë post deri në vitin 1987-të për ti besuar më pas  detyrën Ksenofon Dilos I cili do ta mbajë detyrën deri në ndërrimin e sistemit më vitin 1992. I pari që do të jetë Drejtor I Galerisë tashmë në një kontekst tjetër shoqëror është piktori Qirjako Meniko për gati dy vjet, për tia lënë detyrën një tjetër piktori Alush Shimës . Galeria nis të hapet drejt tendencave të reja gjatë kohës së Gëzim Qëndros (studiues arti)më 1998-tën apo Abaz Hados më 2002-shin. Piktori Nestor Jonuzi ndenji vetëm një vit në krye të këtij institucioni, për tia lënë detyrën për katër vjet të tjera skulptorin Genc Mulliqi.



Më 2008-tën kuratori Rubes Shima vjen në krye të Galerisë, deri në 2013-tën kur detyrën e mori piktori Artan Shabani. Duket se vendosja e një artisti në krye të Galerisë nuk ka qenë efikase në vite. Historiku Galeria Kombëtare e Arteve është një institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së Kulturës. Ajo funksionon në mbështetje të Ligjit për Muzetë dhe Ligjit për Trashëgiminë Kulturore Kombëtare të Republikës së Shqipërisë. GKA funksionon në bazë të statusit të saj i cili aprovohet nga Ministria e Kulturës, si dhe nga rregullorja e saj e brendshme. Galeria Kombëtare e Arteve i ka fillimet e saj me përpjekjet e një grupi artistësh shqiptarë dhe të Komitetit të Arteve të vitit 1946. Pinakoteka ishte institucioni i pare i arteve figurative ne Shqipëri. Pas një pune të mirëfilltë dhe përpjekjesh të shumta në 11 janar 1954 u hap zyrtarisht për publikun Galeria e Arteve në Tiranë. Në vitin 1956, si rrjedhojë e pasurimit të fondit të veprave të artit, prej lulëzimit të krijimtarisë dhe blerjeve të kohës, Galeria u zhvendos në një godinë më të përshtatshme, me tre kate në rrugën “Fortuzi” dhe me hapësira ekspozuese të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë saj. Galeria, funksionoi në dy drejtime kryesore, në atë të linjës së përhershme ekspozuese dhe në çeljen e ekspozitave të përkohshme të artisteve shqiptarë e të huaj. Vizionet e reja rreth zhvillimit dhe ekspozimit të arteve figurative si dhe blerjet rritën numrin e veprave të artit dhe sollën kërkesën për një ndërtesë më funksionale, e cila u inaugurua më 29 nëntor 1974, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërtesë, ku ndodhet edhe sot.



Ky është dhe momenti i riorganizimit dhe rikonstruktimit të parë, i cili konsistoi në ngritjen e një strukture administrative, që përbehej nga disa sektorë përkatës dhe në funksion të veprimtarive artistike. Fondi i Galerisë së re, deri në këtë periudhë kishte 340 vepra dhe në arkivin e saj ishin regjistruar 240 autorë. Që nga ky vit GKA funksionon si institucioni më i rëndësishëm dhe i vetëm kombëtar i ekspozimit, konservimit, studimit, restaurimit, edukimit, botimit, dokumentimit dhe arkivimit të veprave të artit në Shqipëri. Me vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 350, date 10. 8. 1992, Galeria e Artit merr emrin Galeria Kombëtare e Arteve me këtë motivim: “Për të shprehur më mirë qëllimin dhe funksionimin e këtij institucioni si i vetëm, kombëtar që mbron dhe promovon interesat e arteve figurative shqiptare”. Që nga viti 1949 e deri më sot, Galeria Kombëtare e Arteve funksionon si i vetmi institucion kulturor i këtij lloji. Në vitin 2009 në Galerinë Kombëtare të Arteve u bënë ndërhyrje dhe investime të rëndësishme, të cilat konsistojnë në një rikonstruksion cilësor të hapësirae të brendshme dhe kthimit të tyre sa më pranë projektit origjinal të ndërtesës, si dhe konceptimit të një linje të re muzeale që i përgjigjet njohjes, edukimit dhe informimit artistik të publikut shqiptar dhe të huaj në nivele sa më të larta. Galeria Kombëtare e Arteve është institucion kombëtar, qëndror, muzeor, studimor, shkencor, me qëllim të vetëm ruajtjen, prezantimin, promovimin e trashëgimisë kombëtare të shtetit shqiptar në fushën e arteve pamore. GKA, ka mision grumbullimin, koleksionimin, konservimin, dokumentimin, studimin, restaurimin, ekspozimin dhe zhvillimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, duke promovuar veprat më të mira të artit pamor shqiptar të traditës dhe atij bashkohor kombëtar e ndërkombëtar.


7 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)