Partner dhe ortak me Erion Veliajn, shumë i afërt me segmente të PS-së, Gjergji Bojaxhiu u fry nga Olldashi në fillim të 2011-s, si kandidat potencial për kryetar të bashkisë Tiranë, kurse dje ktheu reston në një intervistë televizive. Në dokumentet e wikileaks-it, qysh në 2008-n, ish-Ambasadori amerikan Withers raportonte se klani i Bojaxhiut synonte të merrte kontrollin në Partinë Demokratike
Sa më shumë të ngjitesh në majat e maleve aq më pak oksigjen të shkon në tru. Kjo ka ndodhur edhe me Gjergj Bojaxhiun, një alpinist shqiptar që ka qenë shumë drejtor i lartë përgjatë 8 viteve të qeverisjes së vendit, i cili së fundi ftohet në emisionet televizive për të përkrahur kandidatin për kreun e PD, Sokol Olldashi. Lidhja e ngushtë mes Gjergj Bojaxhi dhe Sokol Olldashit bën nyje ditën kur ministri Transporteve, Sokol Olldashi u propozoi strukturave të PD në 2011, vartësin e tij, Bojaxhiun, të kandidonte për kryetar të Bashkisë Tiranë. Në fakt, Olldashi e dogji Bojaxhiun me qëllim të kuptueshëm sepse ishte një kandidat humbës përballë bojaxhiut të fasadave të kryeqytetit, Edi Rama.
Padyshim mënjanimi i Gjergj Bojaxhiut nga PD nuk erdhi vetëm si pasojë e flirtimit të tij haptazi me idetë e “kundërshtarit”, ose mikut të tij Erjon Veliaj; por edhe pse, sipas një raporti të KLSH në 2009, Gjergj Bojaxhi ishte një barrë për qeverinë, Raporti i 2009 i KLSH vlerësonte se Gjergj Bojaxhiut së pari merrte masën për paralajmërim për përjashtim nga puna sepse, 1) Për performancën e dobët të treguesve ekonomikë e financiarë të Korporatës për vitin 2007 dhe 9/mujorin 2008; 2) Për ndryshime të vazhdueshme të programit të zhvillimit, pa argumente të plota si në drejtim të treguesve të prodhimit të energjisë dhe shpenzimeve të tjera; 3) Për moszbatimin e plotë të rekomandimeve, të lëna në kontrollet e mëparshme ;4 ) Për mosushtrimin e kontrollit në drejtim të autoritetit dhe zbatimit të kompetencave të dhëna vartësve ;5) Për mosrespektimin e radhës së pagesave të detyrimeve të KESH sh.a., ndaj furnitorëve të prapambetur ;6) Për nënshkrimin e kontratës së punës me nr. 11441, date 07.09.2007, lidhur me rritjen e kuotës ushqimore në kundërshtim me programin ekonomik e financiar të vitit 2007 ;7) Për shkeljen e disiplinës financiare, tejkalimit të treguesve të shpërblimit të punonjësve, duke ndikuar negativisht në rezultatin financiar me dëm ekonomik.
Ndërkaq ish-ambasadori Uithers raportonte në një kabllogram se njerëzit e Bojaxhiut synojnë të marrin kontrollin në Partinë Demokratike. Në një kabllogram të ambasadës amerikane në Tiranë, të zbardhur nga Uikileaks, ish-drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, i cili i ka thënë Ambasadës Amerikane në Tiranë, në tetor 2008, se “për të mirën e PD-së, Berisha duhet ti humbë zgjedhjet” e 2009. Sipas kabllogramit “Bojaxhiu ka parashikuar se fitorja e PD-së në zgjedhje do të ishte një gjë e keqe për të ardhmen e partisë”. Çuditërisht Gjergj Bojaxhi është aktivizuar si me sustë dhe mediat e majta i japin jehonë qëndrimeve të tij, edhe pse ky njeri nuk ka bërë ndonjë gjë për t’u mbajtur mend. Por roli që ka marrë në funksion të Berishës dhe pro-Olldashit në fushatën e brendshme të PD sinjalizon për interesin që ka të majtët në sulmet e tij. Bojaxhi i cili përgjatë qeverisjes së PD ka drejtuar KESH dhe INUK, theksoi gjatë një interviste televizive se Basha dhe Olldashi po përpiqen të bëjnë një fushatë duke nxjerrë në pah miratimin që i ka dhënë Berisha. Por sipas tij, Basha është i katapultuar në krye të PD-së dhe megjithëse në 2005 ai u vu në krye të KOP-it, sjellja e tij politike ishte e njëllojtë sikundër Kryeministri Berisha. Mes dy kandidatëve në garë, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, Bojaxhi deklaroi mbështetjen për ministrin në detyrë të Transporteve, ndërsa Kryetarin e Bashkisë së Tiranës e cilësoi si një fotokopje të Berishës. Urrejtja e Bojaxhiut për Sali Berishën e shtyn të urrejë edhe Lulzim Bashën.