Skuadra Universitatea Cluj ka shprehur interesim për transferimin e Shpëtim Babajt, i cili i ka rënë në sy gjatë ndeshjes miqësore me Trepçën. Por, menaxheri Nexhmedin Haxhiu tregon se klienti i tij nuk është edhe aq i ‘nxehtë’ për kalimin në klubin rumun.


Nga Driton Berisha dr[email protected] më 28 qershor 2011 në ora 12:18

Shpëtim Babaj mund t’ia shohë hairin turneut ndërkombëtar që po mbahet në Austri, pjesë e të cilës janë Trepça, Universitatea Cluj, Dinamo Bukureshtit, Maccabi Haifa, Hapoel Nikosia dhe Timisiora.



Për shërbimet e mesfushorit kosovar ka shfaqur interesim skuadra rumune Universitatea CLUJ. Ai ka rënë në sytë e këtij klubi gjatë ndeshjes miqësore me ish kampionin e Kosovës, Trepçën (1:0), e cila është zhvilluar javën e kaluar.



“Cluj është shumë i interesuar që ta transferojë Babajn. Ai ka shkëlqyer në ndeshjen kundër tyre dhe rumunëve u ka pëlqyer shumë loja e tij”, ka thënë për Express menaxheri Nexhmedin Haxhiu, i cili njëherësh është edhe kryetar i klubit Trepça.



Mirëpo, Babaj, i cili në sezonin e fundit mbrojti ngjyrat e Drenicës, duket pak i interesuar që të transferohet në klubin nga elita e futbollit rumun.



“Shpëtimi nuk është shumë i interesuar që të transferohet në këtë klub. Unë do të bisedoj të martën me drejtuesit e Clujit dhe do të shohim se çfarë po ofrojnë”, ka shtuar Haxhiu i cili ka treguar se Babaj vitin e kaluar kishte refuzuar një ofertë nga Azerbajxhani.



Skuadra e Universitatea Cluj, e cila vinin e kaluar ishte pjesë e Ligës së Kampionëve, sezonin e sapo përfunduar në kampionatin e Rumanisë e ka përfunduar në vendin e tetë, me 47 pikë të tubuara.



Gjatë karrierës së tij, Babaj ka veshur fanellën e shumë skuadrave si 2000-2001 Rudar Velenje NK Smartno, Besa Kavajë, Elbasani, Zorya Luhansk, Shakhter Karagandy, Gramozi, Tirana.