Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë-Beograd, Robert Cooper, do të vizitojë Serbinë dhe Kosovën në fillim të javës së ardhshme.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka njoftuar për vizitën e tij pas mbledhjes së Komisionit të BE-së për politikë dhe siguri, ku është diskutuar situata në Kosovë.
Ashton tha se kthimi i dialogut mbetet e vetmja mënyrë që Beogradi dhe Prishtina t`i zgjidhin çështjet e hapura.
“Bashkimi Evropian pret të ndodhë një përparim i shpejtë dhe i domosdoshëm”, ka deklaruar Ashton, duke kërkuar nga të dyja palët që të shmangin përkeqësimet e situatës dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore përmes negociatave.
Ndërkohë që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka diskutuar për situatën në Kosovë.
Organi i OKB-së, ka refuzuar thirrjet e Serbisë për një takim të veçantë të Këshillit, ku do të diskutoheshin tensionet në rritje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka protestuar pasi nuk u lejua të adresojë konsultimet.
Diplomati serb deklaroi se kishte pritur tjetër përgjigje të komunitetit ndërkombëtar.
Ambasadori gjerman, Peter Viting, i cili mban presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit, tha se Bashkimi Evropian është organi i përshtatshëm për trajtimin e valës aktuale të dhunës në Kosovë.
KFOR-i ka vënë nën kontroll pikat doganore në veri të Kosovës, pas incidenteve të së mërkurës kur një grup serbësh dogji pikën doganore në Jarinë.