TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një mesazh solidariteti dërguar Perandorit të Japonisë, Akihito, shprehu hidhërimin e thellë dhe keqardhjen për fatkeqësinë natyrore që goditi sot në mënyrë shkatërruese Japoninë, sidomos zonën veri-perëndimore të saj, duke shkaktuar humbje të shumta në njerëz dhe dëme të jashtëzakonshme materiale.

Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se në këtë mesazh Presidenti Topi, i shpreh Perandorit Akihito, familjarëve të viktimave si dhe mbarë popullit japonez, ngushëllimet më të sinqerta për këtë tragjedi.

"Ne jemi pranë jush në këto momente tepër të vështira që po kalon vendi juaj dhe urojmë që pasojat e kësaj tragjedie natyrore, e cila ka tronditur njerëzimin anembanë botës, të kapërcehen sa më shpejt", thekson Presidenti Topi në mesazhin e solidaritetit drejtuar Perandorit të Japonisë, Akihito.
(m.a/BalkanWeb)