rasimMe një fjali të vetme, sekretarja Edlira Haxhi fundosi Rasim Dodën, ish-gjyqtarin e Sarandës, e cila tha para togave të zeza se, kishte parë shtetasin Hasan Bushi (kallëzuesin), se kishte hyrë 2-3 herë në zyrën e ish-gjyqtarit Doda.


Kjo e fundit ishte thirrur në seancën e djeshme gjyqësore për të dëshmuar në lidhje me ato çfarë dinte rreth akuzave të ngritura nga prokuroria, raporton Shekulli.


Doda akuzohet për veprën penale të korrupsionit, i cili dyshohet se i ka kërkuar një shumë parash një qytetari për një çështje civile. Por ish-gjyqtari nuk e ka pranuar asnjëherë këtë vepër penale të ngritur ndaj tij pas kallëzimit të bërë nga biznesmeni Hasan Bushi.


Për të vërtetuar akuzën e ngritur Dodës, në seancën e djeshme prokuroria kishte kërkuar të dëshmonte sekretarja e ish-gjyqtarit Rasim Doda, Edlira Haxhi, e cila ka shpjeguar me radhë gjithçka kishte parë në paradhomën e gjykatës së Sarandës. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë kam filluar punë që prej vitit 2008. Në fillim të vitit 2015, unë jam emëruar si sekretare e ish-gjyqtarit Rasim Doda. Me të punoja normalisht, thjesht si sekretare gjyqësore. Në lidhje me këtë çështje që jam thirrur sot, kam parë se Hasan Bushi ka hyrë 2-3 herë në zyrën e ish-gjyqtarit Doda, por nuk di më tepër se kaq. Këto takime kanë qenë shumë të shkurtra mes tyre, mund të them 2-3 minuta. Unë kam qenë në paradhomë në këto momente dhe nuk di se çfarë kanë biseduar me njëri-tjetrin. Këto takime janë kryer kur çështja civile mes Hasan Bushit dhe shtetases tjetër ishte ende në gjykim, është shprehur dëshmitarja Edlira Haxhi.


Ja debati i nxehtë ndërmjet  sekretares dhe ish gjyqtarit


Doda: A ke çelës ti të zyrës sime?


Sekretarja: Jo, unë kam vetëm kam çelësin e paradhomës, sepse sekretaret qëndrojnë vetëm në paradhomë.


Doda: Po si hyre ti pra? A ke ti akses të hysh në zyrën time?


Sekretarja: Jo, unë nuk hyjë te zyra juaj.


Doda: Si qëndron zyra ime?


Sekretarja: Hapur.


Doda: A je futur ti aty, kur unë mungoj qoftë edhe pa arsye?


Sekretarja: Sigurisht! Jam futur, kam marrë dosjet dhe kam shkuar në sallën e gjyqit dhe më pas kam shtyrë gjyqin kur ti nuk ishe i pranishëm.


Doda: Po si i ke marr dosjet, a të ka penguar njeri?


Sekretarja: Jo!


Doda: A të kam thënë unë që të futesh dhe të veprosh pa urdhrin tim?


Sekretarja: Normalisht që po! Ne kemi folur bashkë në telefon se si do të procedojmë.


Doda: A e ke ti numrin tim të telefonit?


Sekretarja: Sigurisht që e kam, sepse ju ma keni dhënë vetë numrin tuaj të telefonit.


Doda: ... Dhe a mund të ma thuash pak tani se sa është numri im i telefonit?


Sekretarja: Po patjetër, 068 8XXXXXX


Acarimi


Pasi ka dëgjuar këto fjalë nga ish sekretarja e tij, i pandehuri Rasim Doda është acaruar në sallë, duke filluar ti bëjë pyetje të herëpashershme dëshmitares. Por kjo e fundit ishte e vendosur të fliste gjithçka çfarë dinte, pa u ndjerë në siklet se po dëshmonte para një ish-shefit të saj. Por përgjigjet e sekretares Haxhi e acaruan akoma më tepër ish-gjyqtarin Doda, pasi filloi ti thoshte ish sekretares së tij se po gënjente. Kjo pasi, me pyetjet që Doda i bëri Haxhit donte të tregonte se zyra e tij qëndronte hapur gjatë gjithë kohës, edhe kur ai mungonte, dhe se aty futej gjithkush, pa lejen e tij. Dje në seancë është paraqitur për të dhënë dëshminë e tij edhe kryetari i Gjykatës së Sarandës Alltun Çela.