Ndini Bardhi okNga Ndini R. Bardhi


Në botën e artit dhe të krijimtarisë, gjithë llojet, gjinitë, zhanret artistike kanë një dukuri impresionuese origjinale, ku çdo njëri prej tyre përmban në vetvete imazhe sintetike për një vepër artistike. Në secilin lloj apo gjini të artit krijohen vlera artistike specifike dhe përgjithësime shpirtërore origjinale dhe të pranueshme për njerëzit, që do të thotë se në këtë vijimësi të dukshme çdo lloj dhe çdo gjini e veçantë e artit përbën sintezën filozofike të krijimtarisë së mirëfilltë të çdo artisti të vërtetë.


Aty ku shfaqet dukuria origjinale jetësore e njerëzore, pikërisht tek ato qëndron forca krijuese subjektive e çdo lloj arti, aty qëndron edhe gjetja karakteristike, tipike e përgjithësuese e vetë artistit. Natyrisht, tendenca ndaj dukurive origjinale të gjinive, llojeve e zhanreve të vetë artit e artistit si vetvete është preferenciale, relative dhe mbi të gjitha, subjektive e tyre. Nga ky këndvështrim na lind e drejta të themi e të gjykojmë se llojet e gjinitë e artit, e aq më tepër kur në thelbin e tyre kanë dukuritë origjinale të realitetit, janë për nga forma e shfaqjes dhe përmbajtja shpirtërore e njëjtë me to, artistikisht marrin atributet e mirëfillta për krijimtari dhe vepër artistike. Dukuritë origjinale të artit, nëpërmjet llojeve e gjinive të tij, sintetizohen harmonishëm mes tyre dhe realizojnë artistikisht lidhjen me realitetin e jetës reale dhe njerëzore.


2 001


Në vijimësi krijuese artistike, e aq më tepër kur kemi për objekt dhe subjekt dukuritë origjinale të realitetit, artisti me eksperiencë të gjatë është i aftë të krijojë harmonishëm në çdo lloj gjinie dhe zhanri të artit, sepse nga këndvështrimi i vlerave të tyre specifike arrin ti gjykojë të barasvlefshme, preferenciale dhe subjektive të tij. Realisht, çdo artist pasionant guxon të krijojë vepra artistike të përsosura nga dukuritë origjinale të vetë jetës, pikërisht, në ato lloje ose në ato gjini që u përshtatet prirjeve të talentit të tij. Kjo është e natyrshme dhe njerëzore që çdo artist priret përgjithësisht nga një ose nga disa gjini e zhanre që janë të parapëlqyera për të, sepse në to talenti i tij sintetizohet harmonishëm dhe i suksesshëm për të bërë artin e vërtetë.


Ai, në këtë mënyrë krijuese gjen hapësira idesh, vizionesh, objektesh e subjektesh për të zhvilluar në gjithëkohësi artistike talentin e tij. Çdo sukses në krijimtarinë artistike, sidomos në dukuritë origjinale të artit, është rezultat konkret dhe vlerë e respektit të kësaj apo asaj gjinie ekzistuese në botën universale të artit realist dhe atij modern. Kur artisti, që i thotë vetes artist, jeton në përpjekje të përditshme për të gjetur dukuritë origjinale të artit nëpërmjet gjinisë, që i përshtatet më mirë talentit të tij ka gjetur çelësin e suksesit të pakufizuar krijues dhe të realizimit të veprave dinjitoze e produktive si për vete dhe për të tjerët. Në këtë sens, çdo artisti, që i futet udhës sa të bukur aq edhe të vështirë të artit, i duhet detyrimisht të gjejë gjininë e preferuar, pikërisht atë që i pëlqen dhe i përshtatet talentit të tij e jo, që në fillim të karrierës së tij krijuese artistike të pretendojë për gjini të mëdha të shkallës më të lartë e të vështirë të artit.


Çdo lloj arti, me dukuritë origjinale të tij ka specifikën e vet, i cili është i përcaktuar mirë dhe cilësisht i ndryshëm në formë dhe në përmbajtje nga llojet e tjera. Me vlerën cilësore dhe specifike të çdo lloj arti sinkronizohen veçantitë superiore në raport me të gjitha llojet e tjera të artit.


Llojet dhe gjinitë e artit, kur në strukturën e tyre kanë dukuritë origjinale dhe fenomenale jetësore marrin atribute vlerash të barabarta për të realizuar ide dhe subjekte krijuese artistike në mënyrë të ndryshme dhe të shumëllojtë, sepse janë specifikë dhe profilë si vetvete në këtë drejtim.


Një përpjekje e rëndësishme për artistin për të krijuar vlera të mirëfillta brenda çdo lloj arti, gjinie e zhanri është harmonizimi i specifikës së tyre në mënyrë specifike dhe mjeshtërore. Natyrisht, në sajë të dinamikës së dukurive origjinale të artit, artisti i vërtetë, nëpërmjet llojit, gjinisë e zhanrit përcakton cilësitë e vlerave të tyre (dukurive).


Historia e artit në shekuj e deri më sot nëpërmjet krijimtarisë artistike dhe veprave produktive si dukuri origjinale, të dukshme, të prekshme e shpirtërore, ka sintetizuar si dëshmi absolute, specifika, lloje, gjini dhe zhanre artistike të pafundme. Mjeshtrit e artit klasik të shekullit XVII, duke vlerësuar dukuritë origjinale të tij (artit), futën në veprat e tyre një konceptim real dhe metafizik në idetë dhe strukturat krijuese, sepse gjithçka në sytë dhe mendjet e tyre zotëronte shija e së bukurës dhe asaj shpirtërore. Në piedestalin e veprave të krijuara nëpërmjet gjinive dhe zhanreve artistike shikojmë edhe sot në shekullin e njëzet e një, fenomene të dukurive origjinale të realitetit jetësor e njerëzor, të ngjashëm me të sotmin. Natyrisht, çdo lloj, gjini ose zhanri artistik ka specifikën e vetë e smund të jenë të unifikuara në ide, koncept, formë e përmbajtje të njëjtë, sepse në veçanti e në përgjithësi të tyre janë të kushtëzuara nga dinamika e dukurive origjinale të realitetit të përditshëm. Në vijimësi duhet pranuar, se në vetë realitetin, fenomenet me dukuri të ndryshme janë të lidhur me njëri-tjetrin. Dhe pikërisht interpretimin e kësaj larmie të dukurive origjinale të realitetit sa dinamik dhe kompleks, të lëvizjes së fenomeneve të bukura e të shëmtuara të tij, e bëjnë për botën e artit dhe të artistit një epërsi vlerash të mëdha të realizmit figurativ artistik, në raport me rrymat e tjera të krijimtarisë artistike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën.


REALIZMI E BËN ARTIN TË GJALLË


Realizmi fenomenal i dukurive origjinale të realitetit e të artit si dhe i llojeve, gjinive e zhanreve artistike është një gjenerator shumë i rëndësishëm vlerash, që i ka krijuar hapësirë të pafundme ideve e koncepteve krijuese e artistike, për më tepër, mundësi të pakufishme përvetësimi nga artisti nëpërmjet artit universal realist të gjithëkohshëm dhe të pranueshëm nga shumica e njerëzve, artdashës dhe të kulturuar. Nëpërmjet realizmit figurativ artistik, natyrshëm çdo artist, njeh dhe shikon dinamizmin e fenomeneve, dukurive origjinale të realitetit, gjinive artistike dhe specifikën e veçantë të tyre. Në procesin e krijimtarisë artistike, llojet dhe gjinitë e artit realist integrohen midis tyre si një cilësi specifike e veçantë dhe përgjithësuese unikale, që do të thotë, atë që jep një lloj arti nuk mund të na e japë tjetri, sepse bukurinë që ka një gjini apo zhanër artistik në një përpjekje, nuk e kanë gjithë zhanret e tjera. Njohja e specifikës cilësore të dukurive origjinale të çdolloji në artin realist, gjinie apo zhanri, në procesin krijues merr dhe ka rëndësi të veçantë për lëvizjen artistike, sepse jep shanse përdorimi të mundësive reale, që përmban në vetvete secila prej tyre në përvetësimin artistik të realitetit.


NË HISTORINË E ARTIT


Në historinë e artit të gjithëkohshëm si në botë dhe në Shqipëri janë bërë përpjekje fenomenale të shpirtëzimit njerëzor të çdo lloj arti dhe epërsitë absolute ndjenjësore të tij. Të gjitha dukuritë origjinale të artit janë sintezë e vendosjeve të lidhjeve sa më hapësinore midis llojeve dhe gjinive të ndryshme të tij (artit) e përmbi të gjitha, për të harmonizuar bashkëveprimin reciprok midis tyre. Në vijimësi reciproke, llojet e ndryshme të artit njëri pas tjetrit kanë qenë artistikisht moment i krijimit të formave sintetike të krijimtarisë artistike në gjini e zhanre të ndryshme e në të njëjtin sens, edhe i krijimit të planeve të ndërmjetme të saj (krijimtarisë).


2 002


Natyrshëm, dukuritë origjinale të artit sipas historisë së tij shekullore kanë qenë dialektike dhe progresive, të ndikueshme nga një lloj arti mbi llojet e tjera e deri në zgjerimin e mundësive të përvetësimit të jetës reale dhe njerëzore.


Në dukjen tjetër të historisë së artit ka edhe ndikime çoroditëse kur një lloj arti transformohet prej specifikës së vet identike dhe kthehet në një rrymë tjetër imituese të një lloj arti, qoftë edhe abstraksionist.


ARTI DHE PIKTURA ABSTRAKSIONISTE


Piktura dhe skulptura impresioniste, moderne e bashkëkohore e sotme shfaqet si paraqitje e veçantë dhe konceptuale në llojin, gjininë e zhanrin e vet.


Arti modern dhe abstraksionist në dukuritë origjinale të tij të sotme si në Shqipëri e në botë përpiqet të ndërtojë një reflektim të ri pamor e vizual me karakter gjetjesh dhe shprehjesh spontane e të pavetëdijshme, pa e ditur se çpo bën e ku kërkon të dalë, pa interes si për veten dhe njerëzit e tjerë rrotull tij, e për më tepër dhe më e rëndësishmja të heqë dorë nga karakteri i figurshëm, vizatimi, ngjyra, forma dhe linja ideore e veprës realiste. Arti dhe artisti abstraksionist, modern dhe konceptual i sotëm ka për objekt dhe subjekt krijues artistik, shkëputjen nga figurat e sendeve konkrete reale dhe ti tjetërsojë në mënyrë të pakapshme për syrin e të tjerëve. Këto dukuri të artit modern po i shikojmë në të vërtetë nëpërmjet ekspozimeve të hapura në GKA, Tiranë e kudo. Përjetimi i objekteve vizuale është antipod i objekteve reale. Piktorët dhe skulptorët abstraksionistë nëpërmjet krijimtarisë artistike të tyre bëjnë të kundërtën e reales. Ata përpiqen të zhdukin çdo ngjashmëri të veprës së tyre, objekteve dhe sendeve, duke shkatërruar me subkoshiencë atë dukuri origjinale të natyrshme, që lidhin kuriozitetin, interesin dhe mbresat tona vizuale me vetë sendet e shfaqura në një ekspozitë. Abstraksionistët e sotëm duke luftuar kundër asociacioneve që lidhin figurat vizuale me objektet, nuk përfillin format, figurat, pamjet e përgjithshme dhe të veçanta të sendeve dhe gjurmojnë vetëm ndonjë detaj, ndonjë hollësi, figura e të cilëve, edhe kur ruan ngjashmëri, nuk ka lidhje me sendin në tërësi, mbetet pa kuptim, nuk na jep imazhin si mesazh të sendeve apo objekteve të ekspozuara si vepra arti. Objekti dhe subjekti antifigurativ i abstraksionizmit është qëllim më vete dhe i drejtpërdrejtë, ai i tjetërsimit të artit të pikturës e skulpturës nëpërmjet mohimit të ngjyrave, vijave, formave me sendet apo objektet realë, të cilëve u përkasin.


Në këtë vijimësi, dukuritë origjinale të artit, qoftë ai realist dhe modern shprehen nëpërmjet llojeve, gjinive artistike dhe veçorive specifike të tyre.


Ky është realitet dhe i përjetueshëm nga të gjithë njerëzit e sotëm artdashës dhe të kulturuar në hapësirën e pluralizmit krijues artistik, të lirisë dhe të së drejtës njerëzore për të bërë atë që ndjen dhe mendon se bën më të mirën e mundshme në demokracinë e sotme shqiptare.


*Piktor, studiues arti