10/03/2005  Terreni në të cilin u luajt ndeshja kundër Elbasanit dhe përfundimi i saj duket se i ka kënaqur bardheblutë të cilët me barazimin e marrë në “Ruzhdi Bizhuta” këtë fundjavë janë sërish 8 pikë para. Mbrojtësi i Tiranës, Rezart Dabulla u shpreh dje se duke parë kushtet në të cilat u luajt ajo ndeshje, është i kënaqur me rezultatin. Ai tha se do të ishte mirë për skuadrën, nëse gjithçka do të kishte përfunduar brenda këtyre 90 minutave, por edhe barazimi i lë sërish përpara kampionët e vendit. “Duke parë lojën që u bë në atë fushë të mbushur nga uji jam i kënaqur nga rezultati. Do të ishte më mirë ta kishim mbyllur që atje luftën për titull, por nuk ndodhi kështu. Por gjithsesi diferenca mes nesh është tetë pikë dhe kjo na jep më shumë siguri”, tha dje Dabulla. Në ndeshjen e fundit të fazës së tretë Tirana do të luaj derbin kundër Dinamos në “Qemal Stafa”. Në dy ndeshjet e para të dyja skuadrat kanë marrë nga një fitore, por gjatë takimeve të fundit blutë, kanë dominuar në shumicën e rasteve. Për mbrojtësin e kombëtares sonë, Rezart Dabulla, ndeshja me Dinamon është më e rëndësishme se ajo kundër Elbasanit. Ai tha se lodhja mund të ndikoj në këtë derbi, por skuadra e tij do të hyj në fushë për të fituar. “Dinamo është një ekip më i vështirë se Elbasanit, dhe në ndeshjet e fundit na ka krijuar probleme. Lodhja mund të bëjë të vetën, pasi në javët e fundit ne kemi zhvilluar disa ndeshje shumë të forta. Por edhe kësaj here do të kërkojmë fitoren”, përfundoi Dabulla. Gjatë stërvitjes së djeshme tekniku Starova nuk ka patur në dispozicion mbrojtësit Elvis Sina dhe Ervin Fakaj, si dhe portierin Blendi Nallbani. Ndërsa në derbi do të mungojë mesfushori shkodran Sajmir Patushi, i cili është i pezulluar.