Pas arritjes së marrëveshjes, drejtori i përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit Christian Danielsson vizitoi sot Tiranën ku zhvilloi takimet me kryeministrin Rama, kreun demokrat Basha, kreun e Kuvendit Ilir Meta si dhe me ministrat Bushati dhe Gjosha.


Sipas zyrës së shtypit të delegacionit të BE-së në Tiranë, ai përgëzoi udhëheqësit politikë për shfaqjen e pjekurisë demokratike me arritjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e ngërçit politik. Ai theksoi rëndësinë e zbatimit pa probleme të marrëveshjes.


Danielsson përsëriti se fillimi i shpejtë i procesit të Vettingut është tani kyç për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit Evropian. Ai shkëmbeu gjithashtu mendime me autoritetet shqiptare për përgatitjet për Samitin e Triestes dhe në veçanti, për forcimin e mëtejshëm të integrimit ekonomik në rajon. U diskutua gjithashtu sesi të nxitet zbatimi i agjendës ndërlidhëse.


Danielsson shprehu gjithashtu gatishmërinë e Komisionit për të mbështetur zbatimin e planit të veprimit të qeverisë për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës. Komisioneri përgëzoi Kreun e Kuvendit Meta për zgjedhjen e tij si President i Republikës.


19 maj 2017 (gazeta-Shqip.com)