Drejtuesi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, e ka konsideruar vendimin e KQZ-së si një dëshmi se në Shqipëri po bien institucionet e shtetit. Ai tha se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk ishte aq i thjeshtë, sikur të ishte vendimi për zhvillimin ose jo të zgjedhjeve në një komunë të vendit. Në këtë kuptim, sipas Shehit, shqiptarëve duhet t’u shpjegohet mirë ky moment, që ata të bëhen sa më të ndërgjegjshëm, pasi në të kundërt i gjithë aksioni i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës do të mbërrinte me tepër vonesë. “Besoj që më e rëndësishmja është që të bëjmë të ndërgjegjshëm dhe të informojmë, të paktën pjesën më të madhe të shqiptarëve, se çfarë po ndodh. Dhe, në qoftë se nuk e kuptojnë, se këtu ditë për ditë po bien institucionet e shtetit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një institucion të cilit i kemi deleguar të drejtën të kontrollojë votat tona. Pra, në qoftë se shqiptarët nuk janë bërë të ndërgjegjshëm, pjesa e madhe e politikës apo media, të cilët duhet ta përcjellin këtë ide, që institucionet e shtetit po bien një nga një, kjo është një betejë shumë e vështirë pastaj për të gjithë ne”, - u shpreh Shehi



7 Qershor 2008