TIRANE - Federata Shqiptare e Futbollit ka mbledhur asamblenë e zakonshme gjatë ditës së djeshme duke zhvilluar punimet vjetore. Ndryshe nga se pritej, asambleja ka zgjatur vetëm pak orë duke u mbyllur pa shumë debate dhe diskutime për problemet që shqetësojnë sot futbollin shqiptar.

Asambleja e zakonshme sipas rendit të ditës së ishte përcaktuar miratoi projekt buxhetin për vitin 2013, si dhe mori opinione për komisionin e rishqyrtimit të titujve kampion të viteve 1939, 1940 dhe 1942. Komisioni për rishqyrtimin e tyre titujve nuk i hodhi për miratim.

Dje gjatë asamblesë pritej që titujt kampion të votoheshin, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe nuk u mor asnjë vendim. Një tjetër temë e rëndësishme diskutimi ishte raportimi i Komisionit të Etikës për punën në harkun kohorë të  një viti.

Kreu i këtij Komisioni, Fatmir Braka ka raportuar për punën e duke theksuar se në të ardhmen do të merren masa edhe për futbollistë konkretë që janë përfshirë në trukimin e ndeshjeve. Në fund Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka e vlerësoi si pozitive asamblenë pavarësisht se mungoi debati.

Duka gjatë fjalës së tij u ndal edhe në ndërtimin e stadiumit të ri duke konfirmuar projektin e nisur kohë më parë. Në asamblenë e zakonshme ka qenë i pranishëm edhe trajneri i kombëtares De Biasi që ka raportuar për drejtimin e ekipit. Në fjalën e tij De Biasi ka theksuar që ekipi ka realizuar një paraqitje të mirë dhe se ndeshja e radhës me Norvegjinë është jetike për objektivat.

" Ndeshja me Norvegjinë është mjaft e rëndësishme për fatet e këtyre eleminatoreve. Norvegjia ka një ekip shumë të fortë me futbollistë teknikë. Ato janë 90 minuta shprese, duhet të luajë mirë futboll pa ndrojtje ndeshjet e transfertës. Nuk duhet të kemi frikë kundërshtarin, e dimë që është i fortë dhe për këtë arsye ne duhet të jemi më të fortë.

Përsa i përket futbollistëve të rinj për këtë ndeshje më lejoni të them që bisedova me Valdet Ramën dhe më ka thënë se mezi pret të luajë për Shqipërinë. Kaces i kemi dhënë kohë pasi ai duhet të marrë pasaportën greke në mënyrë që të luaj si komunitar.

Për Migjen Bashën duhet të vendosë UEFA për lejekalimin" përfundon De Baisi. Shqipëria do të luajë përballë ekipit të përballë ekipit të Norvegjisë më datë 22 mars në Oslo për kualifikueset e kampionatit botëror Brazil 2014.

Aktualisht Shqipëria renditet në vendin e tretë në grupin e saj duke shpresuar në një kualifimin të mundshëm, por Norvegjia është sfida më e rëndësishme e grupit për kuqezinjtë në këto momente. Nëse humbim atëherë shuhet ëndrra për të vazhduar më tej.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)