Gianni De Biasi është zyrtarisht trajneri i Alaves në kampionatin spanjoll. Ish-trajneri i Shqipërisë ka pranuar ofertën e drejtuesve të këtij ekipi në një moment të vështirë, me objektiv për të siguruar mbijetesën, teksa në 5 javët e para të La Ligas, Alaves ka pësuar po kaq humbje, duke ndarë fundit e tabelës me Malagan.


61-vjecari kthehet pas thuajse 10 vitesh në futbollin spanjoll, teksa në sezonin 2007-2008 ka drejtuar Levanten.


De Biasi ka nënshkruar kontratë 1-vjeçare, e cila do të rinovohet automatikisht nëse Alaves do të sigurojë mbijetesën.


Më këtë lëvizje trajneri që zotëron pasaportë shqiptar, përves se atë italiane, konfirmoi se mbetet një njeri i sfidave të mëdha.


De Biasi drejtoi për thuajse 6 vite kombëtaren kuqezi, duke shënuar arritjen më të madhe të futbollit shqiptar, me kualifikimin në finalet e Europianit Francë 2016, një sukses që e kishin tentuar shumë trajnerë të huaj, por pa mundur ti afrohen.


Edhe pas dorëheqjes nga stoli i kuqezinjve, kishte deklaruar se do ti pëlqente një sfide e re, qoftë në krye të një klubi, ku ai duhet të ishte në qendër të projektit. E duket se drejtuesit e Alavesit ia kanë plotësuar këtë kusht.


Për ironi të fatit, ish-trajneri i Shqipërisë do  të debutojë në Primera Division ndaj Realit të Madridit në Estadio Mendizorrotza, me Los Blancos që vijnë pas humbjes befasuese në Santiago Bernabeu me Betisin.