Kryeministri Edi Rama ka bërë disa deklarata të forta në mbledhjen e grupit parlamentar socialist.


Fillimisht ai ka thënë se duheshin ndryshuar edhe disa ministra të tjerë, duke lënë të qartë që nuk i është kënaqur nga disa anëtarë të kabinetit.


Duke bërë vetë publikë emrat e ministrave të rinj, Rama paralajmëruar se ka akoma për të thënë sonte në mbrëmje.


Fatmir Xhafaj do të jetë ministër i Brendshëm, Olta Xhaçka do të jetë ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ogerta Manastirliu do të jetë ministre e Shëndetësisë dhe Eduart Shalsi do të jetë ministër i Pushtetit Vendor. Për të tjerat, sot në orën 21:00, në Top Story, tha Rama.


Top Channel mësoi se në mbledhjen e kryesisë është folur edhe për të paktën dy ministra të tjerë që kanë qenë në listën e kryeministrit Edi Rama për t’u larguar.


Burime nga mbledhja thane për Top Channel se dy ministrat janë Ditmir Bushati dhe Lindita Nikolla. Por, Edi Rama ka shpjeguar arsyet përse këta të dy nuk u zëvendësuan. Ministri i Jashtëm nuk u largua për shkak të Samitit të NATO-s në maj dhe Samitit të Triestes së vendeve të Ballkanit Perëndimor.


Ndërsa ministrja e Arsimit për shkak të procesit të Maturës Shtetërore, i cili sapo ka nisur dhe largimi i ministres së Arsimit mund të sillte komplikacione.


Megjithatë, kryeministri Edi Rama u ka kërkuar dy ministrave, Bushati dhe Nikolla, të dy drejtues qarqesh, njëri në Shkodër dhe tjetra në Lezhë, të punojnë me të njëjtin kapacitet në zonat e tyre, si 4 ministrat e larguar.


Për të treguar rëndësinë që ka për Partinë Socialiste kjo fushatë elektorale, me apo pa opozitën në zgjedhje, mësohet se kryeministri është shprehur në mbledhjen e kryesisë që “çadra le të merret me 18 shkurtin, ne do të merremi me 18 qershorin”.


Burime në mbledhje thanë për Top Channel se kryeministri ka përdorur një fjali të çuditshme, kur ka komentuar protestën e opozitës.


Sipas tij, “çadrën e opozitën e duan ngrehur edhe disa të huaj jashtë vendit që nuk radhiten ndër miqtë më të mirë të Shqipërisë”.


Edhe pse nuk përmendi emra, kuptohet qartë se për kë e ka pasur këtë deklaratë kryeministri Edi Rama.