17/06/2005  Ideja e fundit për një debat të udhëheqësve kryesorë politikë nën patronazhin e Dhomës Amerikano-Shqiptare të Tregtisë, është një ide e shkëlqyer dhe është aq shumë e tillë sa defektet e saj duhen thënë të fundit. Më së pari, debati imponohet me autoritetin e përcaktorit “amerikan”, autoritet që i duhet ndërmjetësit të një debati të tillë midis dy apo më shumë se dy krerëve me pozicione kaq shumë të skajshme verbale mes tyre. Debati në Dhomën Amerikano-Shqiptare të Tregtisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo e kufizon debatin politik aktual në thjesht ekonomik dhe financiar, duke i hequr spektaklin e batutave personale, për të cilët aq shumë janë të dëshiruar protagonistët dhe populli i papunë, por aq shumë i padobishëm për pjesën racionale të zgjedhësve. Me një fjalë, provimi në ekonomi dhe financë publike do të ishte provimi i vërtetë i liderëve tanë, i organizuar prej mësuesve me kompetencë në këtë fushë, në raport me moderatorët e tjerë të afirmuar, apo që po ofrohen vullnetarisht për të kryer debatin e vështirë, që nuk marrin vesh nga shifrat. Por, debati në Dhomën Amerikano-Shqiptare të Tregtisë është dhe debat ku palët vështirë se do të mund të korruptojnë moderatorin, i cili në fakt do të përçojë, nëpërmjet pyetjeve, shqetësimet e vërteta të bashkësisë shqiptare dhe të huaja të biznesit në vend, shqetësime serioze, të paneglizhueshme. Nga ana tjetër, palët nuk mund të kumtojnë përpara një moderatori apo audience profesionale të tillë, premtime të pambështetshme ekonomikisht, siç edhe kanë bërë gjatë fushatës në sheshet e Mamurrasit apo të Domosdovës. Më së fundi, debati është dhe më i drejtë në pikëpamje të të ftuarve: pjesëmarrja e Metës, i cili përfaqëson një subjekt jashtë dy aleancave të mëdha politike, i jep mundësi përfaqësimi edhe asaj pjese të shqiptarëve, që qëndron jashtë këtyre dy partive apo grupimeve dhe që nuk është e vogël. Pa pretendimin se Meta do të arrijë të thithë votat e tyre apo se ai është përfaqësuesi unik i tyre, një përqindje qytetarësh abstenues apo të zhgënjyer nga politika tradicionale prej 40% nuk është e vogël për t’u injoruar dhe ajo do të dëshironte të përfaqësohej njëfarësoji në atë debat.


Nuk dihet se ç’lloj ndërveprimi është menduar të ketë një debat i tillë, midis audiencës dhe protagonistëve, por nëse ai do të ishte i organizuar mirë, është e sigurt se Nano dhe Berisha, dhe pse jo dhe Meta, do të ndiheshin në vështirësi prej përballimit të një audience, që normalisht nuk pranon gënjeshtra. Në një shikim të parë të gjithë protagonistët do të përfitojnë prej debatit, megjithëse nga sinjalet që kanë përcjellë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ata do të kishin qejf ca sende të tjera. Nano do të kishte qejf të merrej me ’97, siç e treguan ato spotet e tij rezervë që e irrituan Berishën; do parapëlqente të merrej me fotografitë diplomatike dhe me sende të tjera si këto. Berisha do të shtrydhte raportin e Bankës Botërore, një material i konsumuar shumë prej debatuesve demokratë, por do të merrej dhe me historira personale të Nanos, ku kazinoja do të ishte teatri kryesor. Meta sigurisht do të kishte qejf të dërrmonte monopolet –lajtmotivi i spoteve të LSI-së - megjithëse jo shumë efikas si mesazh elektoral - përveçse do të pëlqente dhe krahasimin e qeverisjes së vet me atë të Nanos.


Ç’fitojnë palët nga debati ekonomik?


Në debatin, për të cilën palët ende nuk kanë dhënë pëlqimin, Nano megjithëse do të duhej të përballonte dy kundërshtarë të fortë, do të kishte mundësi të operonte me shifrat në të cilat ai vetë mendon se është shumë i fortë në një terren, ku e konsideron veten me epërsi ndaj Berishës, që nuk i ka shifrat zanatin kryesor. Berisha do të kishte rastin nëse punon mirë të korrigjojë një defekt të rëndësishëm të partisë së tij, vështirësitë në artikulimin e shifrave dhe projekteve. Pas një fillimi të mirë të fushatës, me gjuhë të moderuar - kujtoni fjalimin në kongres - me afishimin e KOP-it dhe platformave të tij, Berisha ka rrëshqitur i eksituar prej turmave në një gjuhë agresive autolezioniste. Një veprim i tillë i imponuar prej entuziazmit të turmave të pangjirura që ai i dashuron pa korrigjim, nëvlerëson faktin se mesazhet e tij kryesore duhet t’i dërgohen elektoratit të moderuar dhe jo atij besnik, që e ka votuar dhe në 1997, vitin më të keq të historisë së tij politike. Berisha është duke punuar me ekip me aleancë të gjerë, dhe ka boll të tjerë që duhet të akuzojnë si Paloka, Olldashi dhe pse jo dhe Nikollë Lesi, por jo Berisha në të njëjtën gjatësi vale me Nikollën, pra rolet janë të ndara. Një favorizim i linjës agresive, dhe politizuese siç ka bërë gabimisht Berisha kohët e fundit, nuk duket vetëm në shfaqjen e tij në fushatë, por dhe në të pjesëmarrësve demokratë në debatet televizive, të përzgjedhur prej tij. Në jo pak raste ata po humbin deri përpara Pajtim Bellos, një zëvendësministri socialist dhënë hua socialdemokratëve, ku duartrokitësit partizanë të PD-së, pëlqejnë më shumë Dasho Shehin e LZHK-së, sesa Bamir Topin e vendosur gabim në debatet mbi platforma privatizimesh. Megjithëse ai mbetet një nga figurat më pozitive dhe popullore të PD-së, dërgimi i tij për platformat e privatizimit ishte gabim i madh, por jo më i madh se prania e Shaban Memisë në debatin për platforma energjetike, ku ai fitoi vetëm në pjesën e faturave. Duket defekti i vjetër i të bërit opozitë sheshesh dhe demaskuese për tetë vjet larg pushtetit, defekt që nuk u korrigjua as dhe me komisionet hetimore, ku demokratët kishin mundësi të mësonin ndonjë gjë nga arti i qeverisjes. Pra, parë në këtë optikë, Berisha ka rastin sot të hidhet në një fushë si ekonomia dhe financat, që me të vërtetë është një test serioz për një kandidat për kryeministër: në 1997 me kostumin e presidentit, amatorizmi i tij dhe preferenca për “pushtetin mbi njerëzit” në vend të “pushtetit mbi variablat ekonomikë”, ishte faktor i rëndësishëm në rrënimin e vendit.


Ndërsa për avantazhet e Metës nga pjesëmarrja në debat është thuajse e tepërt të flitet: e para, ai do të afirmohet si udhëheqës kryesor i skenës politike, megjithë rebuset paradoksale që mund të karakterizojnë rezultatin e partisë së tij me skemën e Dushkut. I armatosur me informacion dhe nga brenda administratës socialiste, i mbushur me ambicien për të kontrolluar të majtën dhe me armiqësinë ndaj Nanos, që është shtysa më e fuqishme personale e tij, Meta ka epërsinë e një qeverisjeje të suksesshme, më të suksesshmes së tre kryeministrave socialistë, përfshi dhe momentin diplomatik më të suksesshëm se Nano, që do të asnjanësonte mburrjet e rivalit të vet real, pavarësisht dhe kritikave ndaj Berishës.


Më në fund, mund të merremi me defektet e një debati të tillë. Si i pari në llojin e vet, ky lloj debati ofron disa vështirësi, që vështirë se mund të riparohen në një kohë të shkurtër. Mjedisi publik shqiptar nuk njeh ndonjë moderator, që të mund të realizojë një debat të këtij lloji, që duhet të ruajë gjithsesi dhe momentin spektakël apo shou, dhe pse jo divulgues për të vërteta kaq të rëndësishme për elektoratin. Ai do të kërkonte rregulla të qarta dhe të rrepta, të cilat do të imponoheshin pikërisht prej autoritetit të moderatorit, i cili deri më tani nuk është shfaqur bashkë me rregullat e tij. Mund të kishim paraqitje të gjata, të lodhshme, manipuluese me shifra, skema etj., ku kundërshtimi apo polemika do të humbnin terren, duke dhënë pamje monologjesh në konferenca. Mund të rreshtonim dhe ndonjë problem tjetër, por të planit organizativ, që nuk e zvogëlon rëndësinë e debatit.


Pra, gjithsesi, më mirë një debat i tillë ku mund të arrijmë të marrim vesh ca të vërteta, sesa sherret e pafrytshme midis dy protagonistëve të tranzicionit, nga të cilat as ata vetë nuk do të kishin ndonjë dobi.