Debati për projektbuxhetin e vitit 2010, është i zbehtë për shkak të mungesës së opozitës në parlament dhe mungesës së transparencës për realizmin e buxhetit të vitit 2009. Në emisionin e sotëm do të njihemi me zërat kryesorë të këtij buxheti



Mero Baze* 

Ligji më i rëndësishëm politik në vend, Buxheti i Shtetit, në Shqipëri kalon gjithmonë pa një debat publik për shkak të mungesës së kulturës shoqërore për të parë buxhetin si hallkën kyçe ku kontrollohet qeverisja.

Tradita për të mos debatuar për buxhetin, ose për të debatuar me një gjuhë teknike, larg transparencës, ka shumë arsye.

Arsyeja e parë është se qeveritë në këtë vend e shmangin debatin për buxhetin dhe aq më tepër debatin mbi realizimin e buxhetit të shkuar.

Gjatë vitit që shkoi ne kemi pasur një rialokim të buxhetit dhe miratimin e një buxheti faktik, ku nëse hetohet me kujdes, ka plot probleme ku politika del e zbuluar lidhur me abuzimet e saj në qeverisje.

Por politika shqiptare, media por edhe vetë qytetarët, janë larg traditës së një debati për këtë ligj themelor.

Një arsye tjetër ka të bëjë me defektin e institucioneve të tjera në vend, që kontrollojnë buxhetin për të komunikuar me publikun.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni përgjegjës për verifikimin e shpenzimeve të tij, është thuajse një institucion pa marrëdhënie publike dhe aspak i specializuar për të prodhuar debat në vend rreth abuzimeve me këtë ligj themelor.

Por një arsye e fortë është dhe mungesa e ekspertëve të pavarur të besueshëm që mund të hetojnë dhe të bëjnë publike gropat e zeza të buxhetit, manovrimet e paligjshme të qeverisë me të dhe spekulimet, sidomos në vitet elektorale siç ishte vitit 2009.

Buxheti i vitit që kaloi, e tejkaloi deficitin e brendshëm, nuk realizoi të ardhurat nga akciza dhe doganat, si dhe pati një shpërndarje kohore të paparashikuar, gjatë gjashtëmujorit të parë, por debati për to thuajse mungoi.

Kjo bën që dhe ky buxhet që do të miratohet sot, të përsërisë të njëjtat simptoma dhe sërish të mos debatohet rreth tij, duke u bërë objekt i debatit publik.

Duke qenë një shoqëri e dalë nga regjimi komunist, ku koncepti për taksën ishte zhdukur, kjo shoqëri ka ende nevojë të kuptojë se buxheti i shtetit mbushet me paratë që dalin nga xhepat e tyre dhe se ato duhet të jenë roje të parave të tyre.

Kur qeveritarët mburren që kanë bërë rrugë, por nuk thonë sa kanë vjedhur, kur qeveritarët mburren që kanë bërë ujësjellës, por nuk thonë a vjen uji, kur qeveritarët mburren kur thonë se po bëjnë spitale, por nuk thonë sa shërohen, ata janë duke keqpërdorur paratë e qytetarëve.

Për këtë arsye vëmendja ndaj mënyrës se si shpenzohen këto para është i vetmi parametër që mat eficencën e çdo qeverie në çdo vend demokratik.

Për më tepër në një vend ku korrupsioni është sëmundje e qeverisjes dhe sidomos në një vend që bën hapa mbrapa në luftën kundër korrupsionit, mungesa e një debati publik mbi mënyrën si qeveriset buxheti i shtetit, është një mënyrë për të lënë të qetë fajtorët e vërtetë.

(*) Dërguar nga autori