Në kulmin e debatit për ndarjen e Kosovës apo një rikorigjimi kufijsh me Serbinë, që ka vendosur përballë dy liderë historikë si Hashim Thaçi e Sali Berisha, por edhe aktorë të tjerë të klasës politike në dy vendet, një mendim për çështjen e ka dhënë edhe Princ Leka II.


Zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe Shqipërinë do të ishte bashkimi nën një monarki shqiptare, është shprehur Princ Leka për Diell, citon media britanike Royal Central.


Princi i Kurorës thekson se që kur familja mbretërore u kthye nga mërgimi, detyra e tyre ishte të hiqnin barrierat midis shqiptarëve dhe të promovonin unifikimin e trojeve shqiptare në Ballkan. Bashkimi që Leka II propozon, sipas tij duhet të ketë një monark në krye dhe këtë e ilustron me shembullin e Mbretërisë së Bashkuar dhe monarkive të tjera të Europës Perëndimore.


Një Shqipëri e Madhe, e vendosur si monarki kushtetuese, do të siguronte stabilitet më të madh politik sesa sistemi aktual politik, thotë ai.


Familja mbretërore do të respektojë gjithmonë vullnetin e popullit. Të jesh princ apo mbret është një jetë. Të jesh në gjendje ti shërbesh vendit tënd nuk e shoh si një punë, por si nderin më të madh, është shprehur ai.


10 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)