Nga Mirela Kumbaro Furxhi


Pasi i lodhi mediatikisht historianët (fatkeqësisht edhe këta shpesh të ndarë në llogore politike), ai veçse vijon të mbushë tashmë portalet duke mos ndarë sërish me dashje- 29 Nëntorin si simbol të përfundimit të Luftës Antifashiste, të rreshtimit të Shqipërisë krahas Forcave Aleate dhe të Çlirimit të vendit nga nazistët, nga fillimi i një periudhe të errët e të rëndë për historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve, atë të diktaturës më të egër e më të gjatë që ka njohur Europa.


Me profesion nuk jam historiane prandaj nuk marr përsipër të bëj asnjë gjykim historiografik. Por jam edhe e angazhuar politikisht, e prandaj akoma më pak do e bëja një gjë të tillë, sepse historinë nuk e shkruajnë politikanët por historianët.

Por, jam shqiptare dhe bash si e tillë, sikur 100 herë të më pyesin se nëse do të kisha jetuar Luftën e Dytë Botërore nga cila anë do të rreshtohesha, 100 herë do të përgjigjem me partizanët. Siç bëri tezja ime që doli partizane në moshën 17 vjeç, siç bëri ati i saj e gjyshi im që i mbështeti me sa mundi financiarisht e materialisht, siç bëri familja e tim eti që numëron partizanë e dëshmorë.


Por, po ashtu 100 herë e më shumë, nuk do të rreshtja së thëni se regjimi i Hoxhës që u vendos më pas ishte një fatkeqësi kombëtare dhe aspak një përkthim i idealit për të cilën luftuan partizanët; përndryshe tezja ime smund të kishte dalë partizane që vetëm pak vite më vonë të dy prindërit (gjyshërit e mi) tia burgosnin me cilësimin armik të popullit; përndryshe familja e tim eti sdo të ishte radhitur me shumicë me partizanët që tim atë e jo vetëm, ta ndëshkonin në vitet 70 për ide liberale dhe shkelje të vijës së partisë, ndonëse punoi ndershmërisht e besoi verbërisht te një ideal irreal.


Asgjë e jashtëzakonshme në këto episode, përveçse një déjà vu e të gjitha familjeve shqiptare. Siç është pjesë e jetës së të gjithë brezit tim që jetoi fundin e viteve 80, padurimi, dëshira, përpjekja dhe veprimi, gjithkush sa mundi, por padyshim i të gjithëve bashkë, për të rrezuar diktaturën. Kaq.

Historinë do ta shkruajnë historianët e brezit tjetër, që do të jenë të shkarkuar nga vrandergjegjet e profesionit të ushtruar nën diktaturë. Deri atëhere shoqëria do të evoluojë më mirë.


Sot dua të them: Gëzuar 29 Nëntorin që na kujton aleancën e Shqipërisë me forcat antifashiste dhe kur përkujtojmë me përulje ata të rinj që dhanë vitet e rinisë dhe jetën për një dashuri të madhe fare, te e cila besuan fort, dashuria për Atdheun!








Image may contain: 1 person, outdoor