Në politikën amerikane, Uashingtoni po përjeton një gjendje rimëkëmbjeje pas një beteje të vështirë lidhur me ngritjen e tavanit të borxhit.

Presidenti amerikan, Barak Obama, nënshkroi të martën marrëveshjen e arritur mes republikanëve dhe demokratëve duke bërë të mundur që qeveria të marrë më shumë borxhe për të përmbushur detyrimet e saj financiare, në shkëmbim kjo të kërkesave të republikanëve për shkurtime të ndjeshme në shpenzimet qeveritare.



Të dyja palët po marrin frymë më lirisht pasi shmangën falimentin. Por, siç pohon ‘Zëri i Amerikës’, një betejë tjetër lidhur me madhësinë e qeverisë federale do të zhvillohet pas pak muajsh.



Debati politik lidhur me tavanin e borxhit bllokoi kryeqytetin amerikan për javë të tëra dhe kur u arrit kompromisi, shumica e analistëve ishin të mendimit se kërkesat e republikanëve për të aplikuar shkurtime drastike të shpenzimeve qeveritare kishin zhvendosur qendrën e gravitetit politik në Uashington.



Republikanët mendojnë se janë në pozitë më të favorshme pasi kërkuan shkurtime të mëdha të shpenzimeve si çmim për ngritjen e tavanit të borxhit. Shumë demokratë janë të shkurajuar dhe ndjejnë se bënë lëshime të shumta, madje janë të zhgënjyer që presidenti Obama nuk luftoi më shumë gjatë negociatave.



Debati i borxhit, që u ndoq me vëmendje nga e gjithë bota, u shndërrua në një shfaqje shpesh kaotike të demokracisë amerikane në veprim.



Rod Kuk, analist me një përvojë shumëvjeçare në debatet politike, shprehet se kjo përbën një turp për imazhin e Amerikës në botë.



Ish-ligjvënësi Miki Eduards thotë se asnjëra nga palët nuk doli e fituar nga debati i tejzgjatur mbi tavanin e borxhit.



Beteja e ardhshme lidhur me shpenzimet qeveritare do të zhvillohet në fund të këtij viti pasi një komision ndërpartiak i Kongresit do të bëjë rekomandime rreth shkurtimeve të mëtejshme të defiçitit, gjë që pritet të rifillojë nga e para betejën mes politikanëve të Uashingtonit.