Piro Milkani: Ata që duan të ndalojnë këta filma, censurojnë jo tre, por 10 milionë shqiptarë


Pasi u njoha me këtë letër, unë bëra dhe këtë bisedë të shkurtër me artistin e shquar Piro Milkani, i cili me sa lë të nënkuptohet, nuk ndihet fort i shqetësuar nga debati i hapur


Zoti Milkani, letra e zonjës Longo është shumë e qartë. Sidoqoftë debati vazhdon të jetë i hapur dhe idetë përplasen. Ju si do ti mbronit filmat tuaj?


E kam në majë të gjuhës përgjigjen dhe nuk nguroj aspak. E kam thënë sa herë që më kanë pyetur, edhe kur nuk ishte hapur ky debat: Unë akoma nuk di a u bë mirë, a u bë keq, por kur botohet sot në Shqipëri, Mein Kamph i Hitlerit në një kohë që në Gjermani është i ndaluar, e këtu kemi pse të diskutojmë. A janë kaq të rrezikshëm filmat shqiptarë? Mua më duket se është një debat pak i ekzagjeruar me gjithë respektin e madh që kam për ata që në ndryshim nga ne, se ne nuk jemi njëlloj- për ata, për ata të përndjekur që kanë vuajtur shumë rëndë kohën e regjimit komunist.



Sidoqoftë, i nderuar Piro çdo debat e ka një vlerë. Ju pretendoni se ki i bërë art dhe filma më shumë se për shqiptarët e Shqipërisë. Sa e vërtetë është kjo?


Është plotësisht e vërtetë, i dashur Xhevdet. Po ju tregoj vlerësimet e politikanit të shquar Arbër Xhaferi për Filmin Shqiptar. Në vitin 1971 me nismën e Drejtorit të Kosova Film, Abdurrahman Shala, u organizua në Prishtine Java e Filmit Shqiptar. Sandër Prosi, Viktor Gjika, Endri Keko dhe Edi Luarasi që shkuan aty na treguan për pritjen fantastike të këtyre filmave. Bëhej fjalë ndër të tjera për filmat Ngadhnjim mbi Vdekjen, Komisari i Dritës, Plagë të vjetra, I teti në bronx , Oshëtimë në bregdet etj. Katër muaj më vonë, në prill të 1972, po këta filma do të shfaqeshin edhe në Beograd. Këtë herë aty do të shkonin Dhimitër Anagnosti dhe Piro Milkani. Në ministri të Arsim Kulturës u thanë se duhet të kenë parasysh se mbas vitit 1948, kur marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos ishin në piken zero, ky do të ishte i pari delegacion zyrtar shqiptar. Pra gati pas një çerek shekulli


Dhe, si ju pritën?


Shkëlqyeshëm. Që natën e parë e deri në fund salla 600 vendëshe e kinemasë Omladina do të mbushej plot e përplot. Në tetëdhjetë përqind ata ishin shqiptarë të Kosovës e kryesisht edhe studentë kosovarë në shkollat e larta në Beograd. Nuk mungoi asnjë nate edhe kritiku i kulturës të gazetës Borba. Aty u njohëm edhe me të madhin Bekim Fehmiu. I ndoqi këto filma edhe përgjegjësi i shoqatës së studentëve kosovarë në Beograd Arber Xhaferi. Në mbyllje të festivalit kritiku i filmit botoi në Borba shkrimin me titull: Një kinema e frymëzuar nga avantgarda sovjetike dhe neorealizmi italian.


Sa realist ishte ky vlerësim për kinematografinë shqiptare?


U desh të kalonin gati dyzet vjet që së bashku me Saimir Kumbaron të takoheshim me Arbër Xhaferin në zyrën e tij në Tetovë. Tashmë ai ishte një ndër politikanët më të mençur të trevave shqiptare dhe aktor kryesor në Marrëveshjen e Ohrit.  Ishte i mbushur me emocione nga ky takim deri sa u çlirua paksa dhe na tha: Ju, zoti Milkani nuk e mbani mend që kemi kaluar një mbrëmje së bashku me shumë studentë të tjerë pas shfaqjes së filmave shqiptarë në Beograd. Atëherë isha i ri dhe mbaja flokë e favorite të gjata. Por më duket se as ju e as zoti Kumbaro nuk jeni koshientë se çfarë shërbimi i keni bërë Kombit ndër vite me filmat tuaj. Kur u punësova në RTK-në e Prishtinës si redaktor i kulturës ato filma ua përcolla TV të Zagrebit, Ljubjanës, Sarajevës e tj. Doja tu tregoja nivelin e kulturës së shqiptarëve


Arbën Xhaferri mendoj sa ka qenë largpamës


Pa dyshim. Fjalët e tij edhe sot janë postulat për ne. Na kujtoi se ato filma që prodhonim ne nuk bëheshin për tri milion shqiptarë por për dhjetë milionë shqiptarë, kudo që ata ndodhen. Prandaj dhe mendoj se ata që tentojnë ti censurojnë keta filma, ta ngulitin në mendje një herë e përgjithmonë: Duan të censurojnë jo tre, por dhjetë milionë shqiptarë.


****


Flet Elvira Diamanti, Drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit


Zonja Diamanti, prej disa ditësh po bëhet një debat për ndalimin e filmave të realizuar në kohën e diktaturës. Si e kini përcjellë këtë debat?


Kam ndjekur me habi këtë debat mbi ndalimin ose jo, të shfaqjes së filmave të ish Kinostudios Shqipëria e Re për shkak të propagandës që mbartin. Si drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dua tju them se kemi një pasuri të vyer të trashëgimisë sonë filmike, një pasuri e cila shkon në 8 milion e 500 mijë metër film, dhe qe duhet ruajtur me çdo kusht, sepse ne jemi një Arkiv i Shqipërisë, por edhe me gjerë, pjesë e trashëgimisë rajonale e botërore. Një vend i vogël por edhe i varfër si Shqipëria ka një nga arkivat më të pasur në rajonin e Ballkanit, edhe për dëshirën e madhe që shteti diktatorial i Enver Hoxhës kishte për të dokumentuar çdo gjë.


-Sidoqoftë, kjo pasuri kërkohet të bllokohet


Është sa absurditet, aq dhe e pamundur Për tu rikthyer te debati i ditëve të fundit, mendoj se të



Elvira Diamanti


Elvira Diamanti



hedhësh këtë ide për ndalimin në mënyrë absolute të shfaqjes nëpër televizione të filmave të para viteve 90, është më e pakta e nxituar dhe me një mllef që kjo trashëgimi nuk e meriton Çfarë do të themi pas kësaj? Të ndalohet gjithë letërsia e para viteve 90, apo pikturat, skulpturat, çdo gjë që është krijuar në ato vite?! Mendoj se ky debat është i padrejtë, tani mbas pothuaj tre dekadash sepse shoqëria shqiptare e kaloi gati në heshtje gjithë sa ndodhi në ato vite diktature, ku ne jemi rritur në një izolim të plotë, duke mos ditur madje, as se sa shumë gjëra na ndaloheshin. Është i padrejtë për krijuesit, artistët, kompozitorët, piktorët, shkrimtarët, si dhe për të gjithë ata që nën diktaturë na kanë dhënë edhe kënaqësi estetike dhe shpirtërore.


Por ka edhe vepra që nuk janë në lartësinë e duhur, apo jo?


Natyrisht. Në morinë e veprave që kemi trashëguar nga diktatura ka disa që janë mediokre apo propagandë e shëmtuar, por pikërisht duke i parë sot nga distanca që koha vetë krijon, arrijmë të kuptojmë edhe më mirë kohën që kemi jetuar. Ashtu sikundër ka vepra shumë të mira që edhe sot krijojnë emocion. Dhe, së fundmi, do doja të thoja se ne se i trajtojmë  këta filma si një rrezik për gjeneratën e re, bëjmë një gabim të madh duke i nënvlerësuar të rinjtë. Sot në epokën e internetit, dhe të superinformacionit,si është mundur që të rinjtë mund të gënjehen e të dëmtohen nga propaganda e këtyre filmave?! Kjo ëhtë e pamundur dhe nënvlerësim për inteligjencën e shoqërisë shqiptare. Ajo që mendoj është se, në fund të fundit, vetë Koha do të seleksionojë veprat e realizmit socialist dhe do bëjë që regjisorët, aktorët, kompozitorët, dhe përgjithësisht gjithë krijuesit e atyre viteve të marrin atë që meritojnë! Publiku shqiptar nuk ka nevojë për guidë për ti thënë se çfarë duhet të pëlqejë e çfarë duhet të ndjejë. Aq me tepër për krijimtari që i përket dekadash më parë!      Kjo është pak a shumë ajo qëe mund të them/Burimi: DITA