Kërkesa e deputetit Ben Blushi për mbajtjen e zgjedhjeve në PS dhe deklarata e ish-kryeministrit Pandeli Majko se vërejtjet e tij ishin të drejta, por se mbështeste kryeministrin Rama u kthyen dje në qendër të diskutimit të deputetëve të Komisionit të Jashtëm në pjesën "off rekord". Në pushimin e mbledhjes mes deputetëve demokratë dhe atyre socialistë nisi një diskutim për qëndrimet e Majkos lidhur me debatin e brendshëm në PS, ku u veçua komenti i kryetares socialiste të Komisionit të Jashtëm Arta Dade e cila i doli në krah Blushit. Ky i fundit ishte prezent në mbledhje por nuk komentoi gjatë diskutimit të kolegëve, duke preferuar të ndajë disa qëndrime me kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule dhe deputeten socialiste Valentina Leskaj.