Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka refuzuar të marrë pjesë sot në interpelancën e thirrur nga Partia Demokratike në orën 11.00, lidhur me debatet e fundit mbi zhvendosjen e Teatrit Kombëtar, por dhe trashëgiminë kulturore, në Komisionin e Medias. Kumbaro mësohet se e ka anulluar pjesëmarrjen pa dhënë ndonjë arsye. Kjo është hera e dytë që Ministrja Kumbaro shpërfill Parlamentin. Nisur nga këto rrethana, opozita do të mbajë një qëndrim në komision në orën 11.00, u bë me dije nga PD.


Ndërkaq mungesa e Kumbaros u shoqërua me debate mes përfaqësues të dy forcave politike të pranishëm në komision. Pas debateve deputetët e PS kanë braktisur komisionin. Sipas Kryetares së Komisionit, Albana Vokshi, Kumbaro ka marrë urdhër nga Rama që të mos paraqitet në Komision. Të largohet opozita, është normale. Të refuzojë opozita mënyrën arrogante të qeverisjes dhe të largohet është normale, por të largohet mazhoranca nga një Komision që duhet të ishte këtu për të mbrojtur të gjitha ato pseuodo reforma të kryeministrit është anormale. E kuptoni që as këta nuk i mbrojnë dot kullat e skandaleve të kryeministrit. Është vërtetim i dështimit të gjithë reformave në kulturë, arsim dhe gjithë sektorët e tjerë. Keqardhje për të gjithë kolegët e mi që nuk e mbajtën dot, u shpreh Vokshi.


Ndërsa deputeti Rrokaj e quaji kërkesën e opozitës për të thirrur në interpelancë ministren në përmbushje të plotë të një detyrimi kushtetues që kanë komisionet parlamentare për të kontrolluar funksionimin e qeverisjes dhe qeverisja për të dhënë llogari para komisionit përkatës. Ajo që duhet të sqarojmë nuk ka të bëjë me personalitete të nderuara që janë thirrur dhe janë të pranishëm nga Ministria e Kulturës.


Problemi është politik, ne i jemi drejtuar Ministres së Kulturës për një problematikë ku qëndrimi i saj është shumë më i rëndësishëm, personalitetet që janë këtu përfaqësuese nuk e kanë tagrin politik për tu shprehur. Në duam të dimë nëse qeveria ka një koncept të qartë tani me shkatërrimin e dy urave, të kishës, të kalasë së Gjirokastrës, do ketë mundësi për të ndërhyrë apo jo? Ne jemi të shqetësuar për mungesën e dialogut me grupet e interesit, tha Rrokaj.


19 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)