Pas Bakajt dhe Busic, Tirana godet sërish fuqishëm në merkato duke rrëmbyer edhe mbrojtësin e ekipit kombëtar të futbollit, Debatik Curri. Kosovari ka pranuar që të firmosë një kontratë 1 vjeçare me ekipin bardheblu me të drejtë rinovimi edhe për një edicion tjetër. 31-vjeçari së fundmi luajti me ekipin e Sevastopolit.

Në garën për Currin ishte edhe ekipi i Flamurtarit deri në metrat e fundit, por mbrojtësi vendosi që t’u bashkohet 24 herë kampionëve të vendit.

Blerja plotëson edhe dëshirën e fundit të trajnerit Magani, i cili kishte shfaqur hapur dëshirën për Currin, pasi është një mbrojtës me shumë eksperiencë duke siguruar prapavijën. Curri do t’i bashkohet ekipit të Tiranës në fazën përgatitore që po zhvillon aktualisht në Ohër.
 
Gashi shënon golin e parë
Shkëlzen Gashi shënon golin e parë me fanellën e ekipit të Baselit. Në javën e dytë të Superligës zvicerane, kosovari me pasaportë shqiptare arrin që të lërë gjurmë duke e bërë sefte me ekipin e ri përballë Lucern. Sulmuesi realizoi një paraqitje të mirë duke e nisur vrullshëm sfidën, por golin arriti ta shënonte në minutën e 39, teksa më parë për ekipin e Baselit kishte shënuar Streller në të 22’. Ndërsa në të 80’ Gashi zëvendësohet nga Calla, i cili shënon golin e tretë në të 90’ duke vulosur një fitore të thellë.


d.bshqiptarja.com