Shumëkush e ka pyetur veten dhe shpesh edhe shoqërinë mbi kuptimin dhe domethënien e ngjyrës së re qe selia e Partisë Socialiste ka adaptuar tashmë prej kohësh, atë vjollcë. Secili shpreh opinionin e tij dhe kërkon të gjejë njëfarë kuptimi mbi ngjyrën, por edhe një arsye mbi domethënien e kësaj ngjyre që tashmë mbush plot pompozitet banerat, sloganet, faqet e web-ve dhe rrjetet sociale etj. Në fakt ekziston një urë lidhëse mes shpjegimit fizik dhe botëkuptimit politik, që kjo ngjyrë tashmë përfaqëson.
1. Një hyrje e shkurtër në aspektin fizik
Në kuptimin fizik lëvruar fillimisht nga Njutoni, ngjyrat që njeriu shikon nëpërmjet syve të tij, janë një rrezatim elektromagnetik pikërisht i gjatësisë së një vale brenda spektrit të dukshëm të dritës për retinën e syrit e cila fillon nga 400 nm deri 700 nm. (nanometër= 10-9). Valët janë thjesht lëkundje në hapësirë dhe kohë duke krijuar amplituda me madhësi të ndryshme. Vetia më themelore e valës është të përçojë energji por pa mbartur materie ose spostuar lëndë. Kriteri bazë i saj është frekuenca e cila mat numrin e cikleve ose rrotullimeve në njësinë e kohës.
Ngjyra violet si reflektim i spektrit të ngjyrave të dukshme, ka një gjatësi që varion nga 390-430 nm. Me këtë ngjyrë nis spektri i dukshëm i gjatësisë së valëve monokromatike për syrin e njeriut pasi kjo ngjyrë ka edhe gjatësinë më të vogël të valës por njëkohësisht, energjinë dhe frekuencën më të lartë. Ndërsa e kuqja, me të cilën mbaron edhe spektri i dukshëm, ka gjatësinë më të madhe të valës por frekuencën dhe energjinë më të vogël. Jo më kot dhe rrethi ilustrativ i ngjyrave propozuar fillimisht nga Gëtja fillon me violet dhe në fund bashkohet me të kuqen.
2. Kuptimi politik, sinkron fizik
Duke lënë mënjanë shkencën e duke kaluar në politikë, tashmë ngjyra violet e cila shndërrohet në të ashtuquajturën mavi (siç e kanë pagëzuar kundërshtarët politikë të opozitës), gjen një kuptim të ri në diapazonin e lartpërmendur.
Thamë që vjollca (mavia) ka gjatësinë më të vogël të valës dhe ku njëkohësisht fillon edhe spektri i dukshëm i ngjyrave, por theksuam gjithashtu se ka frekuencën dhe energjinë më të lartë. Duke qëndruar në koherencë me kuptimin fizik të ngjyrës violet, mavia e PS-së po dëshmon qartë që ka intensitet, energji dhe luhatje më të mëdha amplitudash në këtë fillim fushate. Këto karakteristika i përforcon edhe Forumi Rinor Euro-Socialist (FRESSH) i cili i ka dhënë një trajtë dhe botëkuptim të ri sivjet fushatës, risi kjo në historinë e fushatave elektorale në 22-vite lundrim ne pluralizmin Shqiptar.
Autobusi mavi paralelisht me karakteristikat fizike të ngjyrës që përfaqëson, udhëton me entuziazmin e lartë të të rinjve plus deputetëve plot besim në fitore, përshkon me një axhendë fikse kohore kilometrat e llogaritur dhe zhvillon takime me të gjitha shtresat dhe kategoritë e njerëzve nëpër rrethet ku viziton. Pra fizikisht krijon numër më të madh ciklesh për kohën në dizpozicion në krahasim me kundërshtarët e tyre politik të cilët vazhdojnë metodën klasike: Kryetari- 1 ditë- në podium përpara rrugës- në qytetin/komunën që lidh rrethin.
Dimensionalisht me gjatësinë e valës mavi, kryetari i opozitës po përshkon gjatësi të shkurtra kilometrike në pikat kryesore strtategjike të rretheve, por njëkohësisht e bën më të dukshme praninë e tij me përqendrimin e theksuar të medias dhe intensifikimit në përdorimin e rrjeteve sociale bashkëkohore. Ndryshe nga kundërshtari i tij i cili inauguron kilometra të panumërta, por përshkon ngadalësisht më pak për të arritur e dëgjuar zërin e qytetarëve në komunat e largëta.
Shkurt në katror, si në përshkrim ashtu edhe në përmbajtjen e vjollcës apo mavisë, opozita e ka filluar mjaft entuziaste fushatën, shkon dukshëm e para kudo nëpër rrethe sikurse dhe fillon spektri i dukshëm, dukë tërhequr nga pas edhe vëmendjen e mbarë medias dhe mbi të gjitha, rend më shpejt se e kaltra duke përshkruar më tepër cikle në kohën e mbetur për fushatë elektorale. Nëse deri në prag të mbylljes së fushatës mavia vazhdon me këtë ritëm, atëherë me siguri që sikurse edhe ngjyra vjollcë nis e para në rrethin e ngjyrave të dukshme, ashtu edhe mavia do mbërrijë e para në të kuqen e shqiptarëve