Fier

Pa drita edhe institucione të rëndësisë së veçantë, si gjykata, tatimet, policia

Më shumë se gjysma e qytetit të Fierit është përballur të enjten me mungesë të energjisë elektrike. Kjo e fundit ka munguar për më të tepër se 12 orë. Shkak i ndërprerjes së energjisë ka qenë një defekt i ndodhur në nënstacionin e Fierit 1. Ndërsa komuniteti i Fierit ankohet se energjia i është shkëputur që nga mesnata e së mërkurës duke aguar e enjtja, zyrtarët e filialit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, pohojnë se energjia është shkëputur në orën 04.00 të mëngjesit. “Shkaku i shkëputjes së energjisë në pjesën më të madhe të qytetit është djegia e një transformatori të tensionit të lartë, që pasoi me djegien e fiterave që furnizojnë qytetin në nënstacionin Fieri 1. Defekti është dhënë në orët e para të mëngjesit dhe po punohet për riparimin e tij”, shprehen drejtuesit e filialit të OSSH-së.


Gjatë së enjtes, defekti në nënstacionin e energjisë ka lënë pa furnizuar me dhjetëra biznese, si dhe institucione të rëndësisë së veçantë si: gjykatën, drejtorinë e tatimeve, bashkinë, zyrat e gjendjeve civile dhe drejtorinë e policisë. Institucionet kanë ndalur punën pothuajse gjatë gjithë ditës së djeshme, si pasojë e mungesës së energjisë. Për bizneset terri energjetik është cilësuar papërgjegjshmëri, aq më shumë për ato biznese që kanë aparatura frigoriferike. Bizneset thonë se vetëm gjatë një dite dëmi ekonomik është i madh, pasi u prishet një sasi e madhe mallrash konsumi. Defektet e energjisë elektrike janë bërë pothuajse të zakonshme për OSSH-në e Fierit, i cili edhe pas privatizimit nuk ka mundur të rregullojë rrjetin e qytetit. Edhe pse kanë kaluar plot gjashtë muaj nga ky vit, numërohen mbi 200 defekte, të cilët kanë lënë abonentët pa energji, duke shkelur në këtë mënyrë kontratën e lidhur me ta për një furnizim të mirë të energjisë.








#