Para dy ditësh, jeta politike shqiptare përjetoi një kulminacion të vetin, të munguar prej kohësh. Pati disa ngjarje, të cilat lehtësisht, pra me atë mendjelehtësi që na karakterizon nga të qenit emocionalë, nuk vonuan të konsiderohen si "historike". Kështu, ndërkohë që Presidenti i Kosovës kryente ditën e parë të vizitës së parë zyrtare të një Presidenti kosovar pas shpalljes së pavarësisë në Shqipëri, Parlamenti realizonte "të parin" mocion me debat me Kryeministrin në tre vitet e fundit. Ndërsa Ilir Meta mblidhte Konventën e "parë" të jashtëzakonshme të partisë së tij, e cila u shoqërua edhe me një rrethim të selisë së OSBE-së në Tiranë, madje edhe me një prononcim të ambasadorit të këtij misioni përballë protestuesve.



Në pamje të parë, ngjarjet jo se kanë edhe aq lidhje, por në thelb po, dhe kjo jo vetëm sepse janë ngjarje politike, dhe sigurisht jo, sepse janë "të parat". Analiza e tyre veçmas ka vlerën e saj të padiskutueshme, por një analizë e të ashtuquajturit "mocion me debat" (!?) që përfundoi thuajse në mëngjesin e djeshëm, shpresoj të na shërbejë diçka më shumë se të tjerat për të analizuat se në ç‘nivel ndodhet debati politik në Shqipëri, për pasojë në ç‘nivel janë zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe cilat janë parashikimet e zhvillimeve të pritshme, çka merr një rëndësi të veçantë, ndërsa u afrohemi zgjedhjeve politike.



Themi debate, pasi lufta politike tashmë është totalisht e shuar, falë mirëkuptimit mes Ramës dhe Berishës, që edhe nëse është i vlefshëm dhe produktiv në marrëdhëniet Kryeministër-kryebashkiak, (qoftë edhe me background korruptiv), nuk është i tillë në marrëdhëniet shef mazhorance-shef opozite.



Nuk ishte aspak e papritur që, pas një "maratone" televizive, të cilën shumë shqiptarë e ndoqën drejtpërsëdrejti përmes ekraneve të shumtë, shumëkush të ndihej bosh dhe keq. Shfaqja që na u ofrua nga "panteoni i demokracisë" ishte aq mjerane, saqë asnjë cilësor i gjuhës shqipe nuk e përmbledh dot. Ne pamë në njërin krah atë që prisnim: një Berishë të panënshtruar. Energjik. Të paturpshëm. Mjeshtër të shmangies dhe bishtnimit. Mjeshtër të manipulimit me gjysmë të vërteta dhe të spekulimeve të hapura me të pavërteta, të cilat duken që larg si peri i kuq në një rrobë të zezë. Pamë një Berishë në krye të një "skuadre" të disiplinuar dhe të organizuar deri në detaje, domethënë deri në radhën e mbajtjes së fjalës, në regjistrin e ligjërimit të një deputeti me atë të një tjetri, e kështu me radhë.



Mjafton të përmendësh, qoftë edhe shkarazi, se thuajse të gjithë folësit risollën në fjalën e tyre të njëjtin fjalor: Opozitë eunuke, impotencë, xhelozi për arritjet tona, Edi-Pedi, opozitë pa identitet, Frankeshtajn-opozitë, hajdutë, jeni të gjithë ish-a, kujtesë e komunizmit…



Ndërkaq në krahun tjetër, opinioni publik, i cili më së shumti për logjikë të funksionimit të demokracisë pret të gjejë të artikuluara politikisht dhe të përfaqësuara pakënaqësitë e tij normale kundër qeverisjes, situata ishte halucinante. Për pasojë, pikërisht këtu fillon pakënaqësia e prekshme e publikut. Të gjithë patëm rastin të shohim një opozitë totalisht të venitur e të paqartë politikisht (sigurisht, përjashtuar LSI-në, e cila nuk është se edhe ishte realisht prezente, për shkak të impenjimeve të lartpërmendura). Pamë një "skuadër" totalisht të shpartalluar. Më së shumti, ushtarët e saj ishin të mposhtur nga frikëra që shumëkush mund t‘i marrë me mend; frikëra që burojnë jo edhe aq për shkak të "mëkateve" të së kaluarës personale qeverisëse, por kryesisht nga pasiguria e së ardhmes së tyre, ngaqë sot në këtë parti mbizotërojnë marrëdhënie të deformuara me kryetarin aktual.



Përveç paaftësisë së artikulimit politik të asaj që pretendonin se i kishte sjellë në seancë, u vu re një etje e padobishme për protagonizëm vetanak, përmes spitullimeve letrareske mendjelehta, - thua se i drejtoheshin Edit: ja, shiko, unë e meritoj të jem në listë: Fatosin nuk e mbroj, as qeverinë e tij ku kam qenë ministër, por edhe Berishës nuk po i bie shumë në qafë!" - që e rriste ndjesinë e mungesës së një vendimi politik, të cilit duhej t‘i përmbaheshin me aq korrektesë, sa e kërkon jeta politike demokratike, të gjithë pjesëmarrësit në debat.



Duket se janë shumë shkaqet e këtij "mjerimi" të demonstruar në "show"-n e fundit, por së paku dy janë evidente për shumëkënd: e para, siç e përmendëm, është mungesa e një vendimmarrjeje politike nga vetë lidershipi i PS-së, gjë që nuk mëtoi ta shpjegonte edhe vetë Berisha. Përse bëhej ky mocion, i cili vetëm lëvizje nuk kishte brenda vetes? Përse vetëm me debat? Përse pa kërkesën logjike që demonstron fuqinë e opozitës dhe që është mocioni për mosbesim? Shumëkush do të përgjigjej se vetë ndryshimet kushtetuese, të bëra së fundmi, nuk e favorizojnë këtë aksion politik, pasi në rast dështimi, Berishës i lind e drejta ta shpërndajë Parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme. Atëherë është lehtësisht e kuptueshme se secili nga deputetët e opozitës minimalisht nuk ka lidhje me politikëbërjen dhe me aksionin politik, çka së pari e kryesisht nënkupton se opozita është e paduruar ta çojë vendin në zgjedhje dhe t‘i fitojë ato: Ata mendojnë dhe sillen thjesht dhe vetëm si qyqarë të punësuar në ndonjë ndërmarrje private.



Arsyeja e dytë e kësaj sjelljeje duhet kërkuar te paaftësia organizative që u bë sërish evidente gjatë debatit në fjalë dhe që sigurisht nuk ka të bëjë thjesht me kapacitetet e zonjës Leskaj, por me atë që qëndron prapa saj dhe tek aftësitë e tij organizative: Edi Ramës. Dhe sërish këtu nuk mjafton skuzimi se kjo vjen ngaqë ai nuk është anëtar i Parlamentit. Për një mendje më se normale, teknologjia e përdorur nga Berisha ishte e pritshme. I rrethuar nga një sërë skandalesh, që lidhen kryesisht me familjen e tij, i rrethuar nga aktivizimi i memories kolektive për të kaluarën e tij politike, ai bëri një arratisje nga problemi për të cilin ishte thirrur të raportonte: as që e zuri në gojë emrin e Damir Fazliçit. Opozita ra lehtësisht në këtë grackë, që kishte menduar se ia kishte ngritur Berishës. Një mendje normale do të kishte vepruar ndryshe. Do të kishte kërkuar pushim dhe do të kishte marrë një vendim politik: do ta pranonin sfidën anashkaluese të Berishës, apo do të ndërmerrnin një aksion të ndryshëm politik?



Kjo nuk ndodhi. Secili nga ata që folën e kishte përgatitur fjalimin e tij dhe me ç‘dukej i dhimbsej të mos e lexonte. Kështu njëri foli si të ishte alternativë e asistentit të prokurorit, pa bërë aspak analizë politike (që e vuri me të drejtë në dukje Ngjela në fjalën e vet), tjetri bëri sfilatë dredharake kapërcimesh psikoanaliste se në ç‘mënyrë sillet hajduti me klanin e vet. Një i tretë përdori naivisht spekulimin e intrigës "përçarëse" në një bllok, i cili ka tetëmbëdhjetë vjet që nuk çahet… Shkurt: njëri gozhdës, tjetri patkoit. Atëherë lind pyetja, gjithashtu normale: Mos vallë kishte për qëllim Edi Rama, që me këtë organizim, të vërtetonte se me këta deputetë nuk shkohet larg dhe se për rrjedhojë, ripërtëritja është emergjente?



E, në këtë paaftësi të artikulimit politik, në këtë mungesë totale të aksionit politik, si mekanizëm i përmbushjes së misionit dhe objektivit politik, shumëkush ka të drejtë të thotë se …madje edhe Aldo Bumçi ka të drejtë.